E Diel, 1 Nëntor 2026

Të paraqiten studimi i çmimeve për çdo qytet

13/04/2005  Begeja kërkon që në metodikë të caktohet kush janë shpenzimet për një kulturë

Një nga relatorët e "Metodikës" së vendosjes së çmimit të tokave, Maksim Begeja, shprehet se në draft duhet të përcaktohen më qartë disa pika, që kanë të bëjnë me shpenzimet për të arritur në fitimin që sjell një njësi toke. Sipas tij, çështja e fitimit nga toka bujqësore, vlerësimi i kapitaleve të ndërmarrjeve shtetërore në prag të privatizimit si dhe paraqitja e një studimi konkret për çmimin e tokës, sipas të gjitha rretheve, janë pikat të cilat duhet të shihen më qartë si nga deputetët dhe nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave.

Fitimi

Sipas Maksim Begesë, "në metodikë është përfshirë zëri shpenzime për realizimin e prodhimit, por nuk jepet mënyra se si do të llogariten ato". Ai thotë se në draft duhet të shprehen sa më qartë zërat shpenzime. Kjo dhe për vetë faktin se bujqit shqiptarë, përdorin mjete primitive dhe që nuk kanë shpenzime të mëdha. Sipas tij, nëse nuk përcaktohen qartë shpenzimet mund të ketë dhe abuzime në përcaktimin e kostos, që mund të ulë ose të rrisë çmimin e tokës.

Privatizimet

Një tjetër shqetësim është dhe vlerësimi i tokës në rastet kur mbi to janë vendosur ndërtesa të ndryshme. Sipas ligjit, kur vlera e ndërtesës është më pak se 150 për qind e vlerës së truallit, pronari ka të drejtën e parablerjes. Por në këtë rast metodika nuk e ka të përcaktuar se cila do të jetë vlera e tokës. E njëjta gjë vihet re dhe në rastet e privatizimit të ndërmarrjeve strategjike. Begeja, për këtë pikë, shtron pyetjen: si do të jetë vlerësimi i toës me kapital të përbashkët dhe shoqëritë aksionere. Duke parë se pronarët e tokës, sipas ligjit do të marrin kompensimin sipas çmimeve, që do të vendosen në Metodikë, Begeja kërkon që dhe vlera e tokës, mbi të cilën është ngritur objekti strategjik, duhet të jetë ajo e vlerës së dhënë nga Komiteti Shtetëror. Në të kundërt, Begeja thekson se fatura financiare për kompensimin e ish-pronarëve do të jetë dhe më e lartë.

Studimi

Begeja e vlerëson pozitivisht punën e bërë nga Komiteti Shterëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave. Megjithatë, ai shpreh frikën e mënyrës së zbatimit të kësaj metodike prej komisioneve vendore. "Komiteti duhet të japë një hartë konkrete të çmimeve të tokës, pasi në mënyrën e paraqitur në komisionet parlamentare lihet vend për korrupsion dhe manipulime", tha Begeja, për "Metropol". Ai thekson se vetëm pasi të jenë rishikuar këto pika, Metodika do të jetë dhe më reale dhe e pranueshme. Në këtë mënyrë Begeja ka mbështetur propozimin e Komitetit, ku çmimi i tokës bazohet në fitimin që sjell ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›