E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfet 20 mijë lekë për të mos ndëshkuar qytetarin, AMP arreston dy policë në Tiranë

Dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë janë arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohen se i kanë kërkuar dhe marrë 20 mijë lekë një qytetari, në këmbim të mosndëshkimit për një shkelje rrugore.

Të arrestuarit janë dy efektivë të moshës 20 dhe 23 vjeç, me gradën inspektor, të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit Nr. 4 në kryeqytet.

Sipas AMP-së, hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari. Nga veprimet hetimore dyshohet se dy punonjësit e policisë kanë kërkuar dhe marrë shumën prej 20 mijë lekësh për të mos e ndëshkuar atë për një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Dy efektivët dyshohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Arrestimi është kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në vijim të veprimeve hetimore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›