E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e argjendarit, pushohet akuza ndaj të riut nga Kosova

Argjendaria ku u vra Rrapo Sinanaj

TIRANE – Afati i mbajtjes në burg ka kaluar dhe, për pasojë, Prokuroria është detyruar të lirojë nga qelitë shtetasin Nexhat Mulaj, i arrestuar muaj më parë me akuzën e vrasjes së argjendarit 61-vjeçar Rrapo Sinanaj. Që nga 23 dhjetori 2011, shtetasi kosovar Nexhat Mulaj hetohej në gjendje të lirë, pasi Gjykata për dy muaj me radhë e mbajti në qeli me kërkesë të Prokurorisë, duke lënë dy afate hetimore radhazi nga 30 ditë për gjetjen e provave në lidhje me vrasjen e argjendarit. Rrapo Sinanaj u vra me armë më 21 tetor 2011, në argjendarinë e tij në rrugën “Reshit Petrela” pranë Dispanserisë në unazën e Tiranës. Pas dy afateve hetimore nga 30 ditë secili, Gjykata e Tiranës vendosi ndjekjen penale në gjendje të lirë për shtetasin nga Kosova, i cili u arrestua nga policia nën dyshimet se kishte vrarë Rrapo Sinanajn. Viktima 61-vjeçar ndodhej në argjendarinë në pronësi të vajzës së tij, në momentin kur një person i armatosur hyri në dyqan dhe, pasi ndeshi në kundërshtimin e të moshuarit, qëlloi me armë ndaj tij dhe u largua. Një kalimtar me iniciale I.S dëshmoi për policinë dhe tha se “Nexhat Mulaj, që banonte me qira në atë zonë, kishte ngjashmëri trupore me autorin e ngjarjes në argjendari”. Kaq mjaftoi që policia t’i vinte prangat shtetasit nga Kosova, ndërkohë që Prokuroria për shkak të mungesës së provave kërkoi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg me afat një muaj. Pas një muaji, Prokuroria kërkoi edhe një shtyrje tjetër me 30 ditë, duke qenë se provat nuk ishin gjendur. Prokuroria kërkoi të dhëna nga pikat kufitare në sistemin TIMS, për të parë hyrje-daljet në Shqipëri të shtetasit të dyshuar Nexhat Malaj. Afati i dytë mbaroi dhe, më 23 dhjetor 2011, Gjykata e Tiranës vendosi lirimin nga paraburgimi për të dyshuarin. Prokuroria nuk mori përgjigje nga autoritetet kosovare për të dhënat e telefonit të personit të dyshuar. Ndërkohë, prova të tjera nuk ishin gjetur, ndërsa hetimi vazhdoi në gjendje të lirë; Derisa pak ditë më parë, prokuroria ka vendosur të pushojë akuzën duke liruar shtetasin nga Kosova nga çdo përgjegjësi penale. Në këtë mënyrë, grabitja me armë me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinanaj, 61 vjeç, ngjarje e ndodhur më 21 tetor 2011 në Tiranë, ka mbetur pa autor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›