E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujkani, i zhgënjyer me lëndimin

Samir Ujkani ka mbetur i zhgënjyer me lëndimin që e pësoi në ndeshje me Romën, por beson se do të rikthehet edhe më i fortë. Përfaqësuesi shqiptar vuan që nuk do të mund ta ndihmojë ekipin në luftën për mbijetesë, porse do ta mbështesë atë nga bankina. Lëndimet e rënda nuk e lanë portierin shqiptar që t’i shfaqë vlerat.

Samir Ujkani është i zhgënjyer me lëndimin që e pësoi në fundjavë, porse nuk dorëzohet. Ai është një luftëtar i lindur. Ka mësuar të vuante që kur ishte fëmijë. Kur nga Kosova u desh të shpërngulej në Belgjikë, pas luftës që kishte filluar në atdheun e tij.

Ai pësoi lëndim në dorë, më saktësisht thyerje të saj, pas një tentimi për ta kapur topin në ndeshje me Romën, kur e lëndoi dorën në duel me sulmuesin Osvaldo.

“Më ka thënë se dëshironte ta merrte topin para meje. Nuk e ka bërë me qëllim sigurisht, por që ka qenë një intervenim i rrezikshëm. Por, ai ka ardhur të më kërkojë falje dhe është interesuar për gjendjen time”, ka thënë Ujkani i cili do ta ndjekë vetëm si shikues pjesën e fundit të sezonit, i cili për të ka marrë fund.

Ai vuan që nuk do të mund ta ndihmojë ekipin, i cili po lufton për mbijetesë. Për përfaqësuesin shqiptar ky ishte lëndimi i dytë i rëndë gjatë këtij sezoni, pas atij që e pësoi muaj më parë, kur i kishte thyer disa dhëmbë dhe mollëzën.

“E di mirë se për mua sezoni ka përfunduar. Mëkat, do të dëshiroja t’i ndihmoja shokët për pjesën e fundit të sezonit, por ky sezon shkoi kështu. Më parë e pësova atë lëndim të rëndë, tash thyerja e dorës. Duhet të operohem, por nuk dorëzohem. Do ta kem kohën e duhur për t’u shëruar mirë dhe për të rifilluar”, ka shtuar Ujkani.

Ai e di se duart janë mjaft të rëndësishme për një portier. Prandaj, Ujkani është i vetëdijshëm se i duhet të pushojë disa muaj për t’u rikthyer në formën më të mirë.

“Nevojiten disa muaj për t’u shëruar nga një lëndim i tillë. Lëndimi i duarve është i rrezikshëm për portierët, sepse janë mjaft të rëndësishme. Do të mbetem përkrah shokëve të skuadrës deri në fund të sezonit. Do të mundohem ta jap kontributin tim duke e mbështetur ekipin. Sezoni im i parë në Serie A nuk ishte më i miri, për arsye të ndryshme. E di se mundem dhe duhet të bëj më mirë, por tash duhet të mendoj për shërim”, përfundoi Ujkani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›