S’ka stadiume, s’ka aeroporte

FIFA është e brengosur me ritmin e ngadaltë të përgatitjeve të Brazilit për Kampionatin botëror 2014 dhe ka thënë se zyrtarët e futbollit në shtetin nikoqir kanë investuar më tepër energji në fitimin e garës se organizimin e saj.
“Ne nuk kemi stadiume, nuk kemi aeroporte”, tha sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke të premten në forumin Inside World Football në Moskë. Ai shtoi se tani duket se disa stadiume, duke përfshirë Maracanën e famshme në Rio de Janeiro do të jetë gati vetëm disa javë para fillimit të Botërorit.
“Maracana nuk është stadium i Kampionatit botëror, ende. Në Brazil, çështja kryesore nuk është organizimi i Kampionatit botëror, por triumfi në të”, shtoi Valcke.
Brazili që fitoi të drejtën e nikoqirit automatikisht, pasi shtete të tjera nga Amerika e Jugut i tërhoqën kandidaturat e tyre, ka vuajtur nga problemet organizative dhe burokratike prej kur u njoftua si nikoqir më 2007.
Ndërtimtarët që punojnë në njërin prej stadiumeve vetëm këtë javë u kthyen në punë, pasi ishin hedhur në grevë për shkak të pagës dhe kushteve. Rreth 160 prej gati 400 punëtorëve të angazhuar të renovimin e stadiumit Mineirao në Belo Horizonte, ndërpren punën këtë muaj.
Marrëveshja përfshin katër për qind rritje e pagës, një plan shëndetësor dhe pagesë më të madhe për punën jashtë orarit. Belo Horizonte është një prej qyteteve kandidate për nikoqir në ndeshjen e parë. Të tjerat janë kryeqyteti Brazilia, dhe qytetet më i madh i Amerikës së Jugut, Sao Paulo.
Ligjvënësit brazilianë këtë muaj ishin të detyruar të aprovojnë masat për reduktimin e shkresave të nevojshme, për të sqaruar projekte të ndryshme infrastrukturore. Ndryshimet reduktojnë kohën për përmbylljen e procesit të paraqitjes së tenderëve, eliminojnë disa faza dhe nevojën për aprovim.
Valcke e nxiti Rusinë, që më 2018 do të jetë për herë të parë nikoqir i Kampionatit botëror, të ketë gati 12 stadiumet e kërkuara dy vite para kohës që të ketë mundësi t’i provojë ato, luks të cilin nuk e ka Brazili.
Rusia është duke ndërtuar shumicën e stadiumeve në projekt me vlerë prej 10 miliardë dollarësh, buxhet që nuk përfshin rregullimin e infrastrukturës së nevojshme për rrjetin hekurudhor dhe renovimin e rrugëve dhe aeroporteve. Kjo ishte paraqitja e parë publike e Valckes, prej kur FIFA e shfajësoi nga akuzat se Katari kishte “blerë” të drejtën e nikoqirit për Kampionatin botëror 2022.