Zjarret, 1050 vatra në vend gjatë verës
Alfred Olli bën bilancin e zjarreve në vend
Sivjet, 400 raste më pak se një vit më parë
Zjarret e rëna gjatë muajve të verës që sapo lamë pas kanë qenë më të pakta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu, nga 1050 vatra zjarresh në vitin 2007, sivjet janë shënuar 400 raste më pak. Duke bërë bilancin e zjarreve në vend deri më tani për këtë vit, kreu i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, ka thënë dje se ky përmirësim është rezultat i marrjes së masave parandaluese dhe përgatitore që para fillimit të stinës së verës, si dhe i një reagimi dhe menaxhimi më të koordinuar ndërinstitucional në rastet e rënies së zjarreve.
Sipas Ollit, Ministria e Brendshme së bashku me Ministrinë e Mjedisit ka zhvilluar një aktiv kombëtar për mbrojtjen nga zjarri dhe takime në çdo qark me shtabet e emergjencës për të bashkërenduar përgatitjet dhe veprimet e të gjitha institucioneve, të cilat kanë detyra funksionale për përballimin e situatave emergjente.
Ndërkohë që sipas tij, si rezultat i masave organizative të marra në kohën e duhur, në të gjitha rastet e rënies së zjarreve në vend, institucionet qendrore e vendore me strukturat përkatëse, Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor dhe njësitë vendore, kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme dhe në koordinim të plotë.
Në këtë kuadër, organet e pushtetit vendor kanë vendosur vrojtues për të evidentuar në kohë rrezikun e zjarreve. Po kështu, përveç caktimit të vrojtuesve, risi këtë vit ishte dhe mënyra e sistemit të lajmërimit dhe koordinimit për të gjitha institucionet përgjegjëse. Nga ana tjetër është për t’u vlerësuar edhe ndërgjegjësimi i komunitetit dhe kontributi i drejtpërdrejtë i qytetarëve për shuarjen e zjarreve.
Olli ka vënë në dukje gjithashtu se rëndësinë e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Italinë dhe Greqinë për përballimin e situatave emergjente. Ndërsa ka përmendur ndihmën e Departamentit të Mbrojtjes Civile të Italisë për operacionet e kryera në të gjithë territorin e vendit dhe kapacitetet e vëna në dispozicion. Konkretisht, numri një i Emergjencave Civile ka evidentuar se gjatë stinës së verës në të gjithë territorin e vendit kemi pasur 1 050 shfaqje zjarresh, afro 400 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas tij, numri i zjarreve problematike që shkaktojnë dëme të mëdha në ekonomi, mjedis dhe prona publike e private, ka qenë 95, rreth 5 herë më pak se vitin e kaluar kur pësuam 500 të tillë. Suksesi më i madh në këtë rast sipas Ollit, ishte shmangia e dëmtimit nga zjarri të pyjeve të larta dhe parqeve kombëtare. Ndërsa dëmtime nga zjarret kemi pasur kryesisht në bimësinë e ulët e të mesme dhe në ullinj e dru frutorë. Mes shifrave të dhënave, Olli ka thënë se strukturat e Ministrisë së Brendshme kanë ndërhyrë me efikasitet të plotë në të gjitha rastet e rënies së zjarreve, në të gjithë territorin e vendit, duke kryer 980 operacione në terren dhe 70 të tjera në banesa e objekte të ndryshme. Ndërsa për sa u takon banesave, janë djegur 12 të tilla, ose sa gjysma e banesave të djegura vitin e kaluar.
Ndërkohë që janë kryer gjithashtu me efektivitet të plotë 32 operacione për shuarjen e zjarreve nga ajri me mjete të specializuara nga Italia dhe Greqia, në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Fier, Korçë dhe Dibër. Ministria e Brendshme, në kuadrin e programit qeverisës për periudhën që pason dhe për vitin 2009, ka programuar masa, si dhe ka planifikuar në projektbuxhetin 2009 fonde shtesë për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër zjarreve.