SHBA-BE-OSBE: Jo dhunë dhe përdorim force
Kompromis për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike ekzistuese. Ky ishte sugjerimi i bërë dje nga faktori ndërkombëtar për klasën politike shqiptare, pas protestës së opozitës, që përfundoi me tre të vrarë. Në një deklaratë të përbashkët, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian dhe prania e OSBE-së, shprehën keqardhje të thellë që demonstrata në Tiranë nuk ishte paqësore dhe çoi në disa viktima. “Dhuna dhe përdorimi i tepërt i forcës nuk mund të justifikohen dhe duhen shmangur. Bëjmë thirrje urgjente për qetësi dhe përmbajtje nga të gjitha palët dhe qëndrimin e tyre larg provokimeve”, theksohej në deklaratë. SHBA, BE dhe OSBE insistoi në faktin se Shqipëria është një vend demokratik, aspiron për anëtarësim dhe i ka institucionet e nevojshme demokratike. “Për rrjedhojë, ripërsërisim thirrjen tonë për dialog konstruktiv dhe kompromis, për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike ekzistuese”, vijon deklarata. Sakaq, Departamenti i Shtetit dënoi dhunën në Shqipëri dhe shprehu keqardhjen për humbjen e jetëve dhe plagosjet gjatë protestave. “Na vjen keq që demonstrata nuk ishte paqësore dhe që nuk u morën parasysh thirrjet për qetësi, që u bënë përpara protestës”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit P J Crowley në konferencën e tij të përditshme për shtyp. Një ditë para protestës, Ambasada Amerikane bëri thirrje që ajo të ishte paqësore dhe konstruktive. Zoti Crowley tha se u mësua me keqardhje për disa vdekje dhe disa dhjetëra të plagosur nga përleshjet. “Përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo toleranca e çdo lloj dhune, i shkakton një dëm të madh popullit të Shqipërisë, i cili meriton më shumë se kaq”, tha zoti Crowley në konferencën për shtyp. Qëndrimi i shprehur prej tij kishte të njëjtin ton, si deklarata e përbashkët e Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe OSBE-së në Tiranë ku shprehej keqardhja që demonstrata nuk ishte paqësore dhe kishte pasur viktima. Sakaq, Përfaqësuesja e lartë e Komisionit Europian për Politikën e Jashtme dhe sigurinë, Catherine Ashton, ashtu sikurse komisionari europian për zgjerimin, Stefan Fule, deklaruan dje se shprehin keqardhje të madhe për humbjen e jetëve njerëzore në demonstratat e zhvilluara në Shqipëri. “Demonstratat janë instrumente të lirisë së shprehjes dhe grumbullime paqësore të qytetarëve. Shprehim keqardhje që ngjarjet e sotme përfunduan në dhunë. Urgjentisht u bëjmë apel forcave politike të bëjnë thirrje për qetësi dhe të distancohen nga provokimet. Me qëllim që Shqipëria të avancojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, ne i kërkojmë sërish politikanëve shqiptarë të angazhohen në një dialog politik konstruktiv, për të zgjidhur pa vonesë ngërçin politik të tejzgjatur dhe të mobilizojnë të gjitha energjitë e vendit për t’i dhënë fund këtij ngërçi”, thuhet në deklaratë.