E moshuara vret bashkëshortin me shkop
DURRËS- Një i moshuar ka gjetur vdekjen pasi është qëlluar me sende të forta nga bashkëshortja e tij. Një sherr mes dy të moshuarve ka mjaftuar që gruaja të merrte shkopin dhe të qëllonte mbi bashkëshortin e saj. Por sipas burimeve policore mësohet se gruaja ka pasur dhe probleme mendore, gjë e cila i shkaktonte irritim të herëpashershme. Shaban Kola, 87, vjeç ka gjetur vdekjen mesditën e djeshme në banesën e tij, pasi është qëlluar me sende të forta nga bashkëshortja e tij. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se vdekja e 87-vjeçarit është shkaktuar nga bashkëshortja e tij, 81-vjeçarja Sabrie Kola. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.30 në fshatin Xhafzotaj, 10 km larg qytetit të Durrësit. Gjithçka ka nisur pas një sherri banal midis çiftit të moshuar, i cili më pas ka degjeneruar në dhunë. Ka qenë bashkëshortja e viktimës, Sabrie Kola, që e ka goditur bashkëshortin e saj me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit. I moshuari pas goditjeve të marra është ndier keq dhe më pas ka vdekur. Ngjarja në fjalë është mësuar menjëherë nga fqinjët e të moshuarve, të cilët më pas kanë njoftuar edhe policinë. Efektiva të komisariatit të Shijakut kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë transportuar drejt spitalit të Durrësit viktimën, trupi i të cilit është dërguar në morg. Më pas policia ka shoqëruar edhe të moshuarën për ta marrë në pyetje për ngjarjen e ndodhur. Nga hetimet që janë kryer në vendin e ngjarjes policia ka bërë të ditur se e moshuara e ka qëlluar fillimisht bashkëshortin e saj me shkop dhe më pas me një copë mermer. Viktima ka pasur shumë shenja në kokë, të cilat janë shkaktuar nga goditja me copën e mermerit. Kjo gjë ka shkaktuar vdekjen e shpejtë të 87-vjeçarit. Çifti Kola mësohet se jetonte pa fëmijët e tyre në fshatin Xhafzotaj, pasi këta të fundit banojnë në Itali. Burimet policore kanë bërë të ditur se e moshuara vuante prej kohësh nga sëmundje depresive, çka edhe ka sjellë ngjarjen e rëndë.