E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Detyrimet për anëtarësimin e plotë

Në kulmin e delirit shtetëror dhe politik pas marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO, nga Samiti i Bukureshtit, ndërkombëtarët kanë kujtuar Tiranën se rruga deri në hyrjen e plotë nuk do të jetë aq e sheshtë. Ka qenë pikërisht ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers, i cili ka bërë një thirrje indirekte për reflektim, duke kujtuar pikërisht "detyrat e parealizuara të shtëpisë". Duke marrë pjesë në një aktivitet mbi hetimin financiar, diplomati kryesor i Uashingtonit në Shqipëri deklaroi se vendi tani do të hyjë në një epokë të re të synimeve të saj për t‘u integruar në bashkësinë evropiane dhe atlantike. Dhe menjëherë pas kësaj fraze, ambasadori Uidhers deklaroi se "megjithatë, pjesë e kësaj epoke të re është fakti që NATO dhe anëtarësia në NATO shoqërohen me detyrime të reja, jo thjesht ushtarake". Dje diplomati amerikan ka përmendur kryesisht detyrimet e fushës së drejtësisë, që megjithatë është një nga më të kritikuarat nga ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë me urgjencë reformimin e tij. Ambasadori i SHBA theksoi se "parësore mes këtyre detyrimeve është ngritja e një sistemi gjyqësor të drejtë dhe të ndershëm; një sistem ku kriminelët sillen para drejtësisë pa ndërhyrjet e ndikimit politik". Pikërisht pjesa e fundit e fjalisë së zotit Uidhers është dhe thelbi i kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të ndërkombëtarëve: shkëputja e institucioneve të pavarura nga ndërhyrja e politikës. Nëse deri më sot diçka mund të tolerohej ngaqë ende ndodheshim jo brenda gjirit të aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme në botë, tani nuk lejohet asnjë centimetër devijim nga standardet ndërkombëtare. Dhe në fakt krerët e shteteve më të fuqishme në botë, ku SHBA është kryesori, nuk i kanë lënë Shqipërisë një barrë shumë të rëndë, ndryshe nga disa vende të tjera, duke i caktuar dy prioritete kyçe, të cilat duhet të zbatohen me doemos pa asnjë mëdyshje dhe këto janë: zgjedhjet e lira, të ndershme, të pakontestueshme dhe në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare, si dhe reformimi i sistemit të drejtësisë, që konsiston në shkëputjen përfundimtare nga ndikimi i politikës dhe lufta ndaj korrupsionit në këtë shtyllë të shtetit, e cila vuan nga "kanceri" i gjatë i mitëmarrjes. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara ka lëshuar mesazhin e parë menjëherë sapo kanë mbaruar festimet qeveritare për marrjen e ftesës. Por deri në pranverën e vitit 2009, kur flamuri shqiptar do të ngrihet në Bruksel, selinë qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duhet të plotësohen disa detyrime kryesore.

Hapat

Këshilli i Atlantikut dhe sekretari i Përgjithshëm i Aleancës do të mbikëqyrin rreptë kërkesat që u kanë vënë përpara drejtuesve të Tiranës zyrtare. Këto detyra "shtëpie" konsistojnë në dy degë kryesore: atë politike dhe atë ushtarake. Në fushën politike, Shqipëria duhet të japë prova se arrin të organizojë zgjedhje të lira, të ndershme, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. "Thembra e Akilit" e Shqipërisë është padyshim dhe kërkesa kryesore e NATO-s dhe një dështim në këtë pikë mund të krijojë probleme të mëdha, deri në mesin e vitit të ardhshëm. Sipas burimeve, brenda këtij viti duhet të mbyllet hartimi dhe miratimi i gjithë infrastrukturës zgjedhore. Një detyrim i vendit tonë, që është edhe kusht për hyrjen në NATO, është forcimi i stabilitetit të brendshëm dhe konsolidimi i institucioneve demokratike. Kështu kërkohet krijimi dhe konsolidimi i një administrate shtetërore efektive. Plani Kombëtar i Veprimit për Anëtarësim kërkon përsosje të sistemit të demokracisë, të ekonomisë së tregut, në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, të reformës në fushën e mbrojtjes dhe të konsolidimit të situatës së brendshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›