SHBA: “Mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për integrim, palët të shpalosin bashkëpunimin e nevojshëm”
Ambasada amerikane në Tiranë përshëndet marrjen e statusit për në BE të Shqipërisë
Ambasada Amerikane në Tiranë, ka përshëndetur rekomandimin e KE për marrjen e statusit kandidat të BE-së nga Shqipëria. Në një deklaratë të shpërndarë për media, ambasadori i SHBA-së i akredituar në Tiranë, Aleksandër Arvizu, e ka konsideruar vendimin e djeshëm të KE, një dëshmi te politikave konstruktive ne Shqipëri. “Ambasada e SHBA mirëpret Raportin e Zgjerimit të BE-së që rekomandon miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë me kusht përmbushjen e reformave të tjera kyçe. Rekomandimi është dëshmi e politikave konstruktive të ndjekura nga të gjitha partitë politike gjatë vitit të kaluar dhe për këtë arsye përfaqëson një mundësi historike për shqiptarët”, nënvizohet në deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë. Gjithashtu në deklaratë theksohet se SHBA-të do të vijë të bashkëpunojë fort për integrimin e Shqipërisë në BE duke nxitur partitë politike të votojnë reformat e papërfunduara. “Ne i mbështesim me forcë përpjekjet e Shqipërisë për integrim në BE dhe nxisim të gjitha palët të vazhdojnë të shpalosin bashkëpunimin e nevojshëm për të përfunduar dhe zbatuar reformat që mbeten pezull”, përfundon deklarata ambasadës së SHBA. Më herët ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu u takua me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, në fokus të takimit ishte diskutimi, në cilësinë e vendeve aleate, rreth procesit të tranzicionit në Afganistan, si dhe shqyrtimi i mundësive se si NATO dhe vendet e saj anëtare të mund të vazhdojnë kontributin e tyre aktiv në këtë proces.
...