SHBA, Obama: Nevojitet ulja e defiçitin

Secili duhet të paguajë pjesën e tij që i takon. Kështu është shprehur presidenti amerikan Barak Obama në një fjalim para Shtëpisë së Bardhë, ndërsa fliste për detajet e planit të tij për uljen e defiçitit buxhetor. Presidenti Obama shprehu me tone të larta edhe njëherë domosdoshmërinë e rritjes së taksave për më të pasurit. Sipas tij nuk është e drejtë që njerëzit e klasës së mesme dhe të ulët të paguajnë taksa të barabarta me ata të shtresave të larta. Sipas Obamas nëse nuk veprohet me shpejtësi, barra e lartë e borxhit do të bjerë mbi gjeneratat e ardhshme.
“Ne duhet të shkurtojmë pjesën që nuk mund të përballojmë, si dhe të paguajmë për shpenzimet e domosdoshme. Klasa e mesme nuk mund të paguajë aq sa milionerët dhe miliarderët. Kjo, nuk është luftë klasash, është matematikë”, u shpreh ai.
Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, referuar planit të presidentit Obama për zbutjen e defiçitit buxhetor, parashikohet që të mblidhen rreth 1.5 trilionë dollarë, ndërsa kjo shifër në dekadën e ardhshme do të shkojë në rreth 3 trilionë. Plani "Obama" vijon të kundërshtohet me forcë nga republikanët në opozitë të cilët kundërshtojnë fort rritjen e nivelit të taksave për të pasurit, pjesë kjo e elektoratit historik republikan.