E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA/ Obama firmos ligjin për reformën në shëndetësi

Presidenti i SHBA-së ka dekretuar sot ligjin për reformën në shëndetësi. Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar në Shtëpinë e Bardhë presidenti Obama theksoi se reforma në shëndetësi është më e madhja që ka ndodhur në këto katër dekada.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se nga ligji do të përfitojnë edhe amerikanët që kanë sigurime duke u vënë kufi atyre që ai i quajti abuzime të industrisë së sigurimeve.
Ndërkohë Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan miratoi të dielën me një diferencë të ngushtë votash projektligjin për reformimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, duke i dhënë presidentit Barak Obama fitoren në përparësinë kryesore të politikës së tij të brendshme.
Dhoma e përfaqësuesve, ku demokratët kanë shumicën, votoi në favor të një projektligji të miratuar më parë nga senati me 219 vota pro dhe 212 kundër. Republikanët e pakicës e kundërshtuan atë njëzëri, dhe 34 demokratë iu bashkuan atyre duke votuar kundër projektligjit. Për miratimin e tij nevojiteshin 216 vota.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›