E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: “Për Shqipërinë nuk ia vlen të grindesh”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Drew Pearson

26 tetor 1961 - Zhvillimi më ironik në botën komuniste është mënyra në të cilën vendet më të vogla dhe të prapambetura në orbitën e kuqe po shkaktojnë tension ndërmjet dy vendeve më të mëdha të kësaj orbite, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës së Kuqe. Një shkrimtar, i cili jetoi për dy vjet buzë kufirit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore, dëshmon se ky vend i vogël është një nga vendet më piktoreske, magjepsës dhe trim në Evropë, por që nuk ia vlen të grindesh me të. Fakti që fuqitë e mëdha të botës po grinden për Shqipërinë, tregon se konflikti që ka raportuar më parë ky shkrimtar është po aq i thellë e i rëndësishëm sa dhe konflikti për Berlinin komunist. Ashtu siç shkon shumë më larg sesa debati me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kjo është një shfaqje e hapur jetë a vdekje lidhur me bashkekzistencën ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe pashmangshmërinë e luftës mes komunizmit dhe kapitalizmit. Kështu ndodh, që gjeografia dhe gjeologjia e kanë bërë Shqipërinë një fortesë pothuajse të pasulmueshme. Ajo nuk ka pse bën ndonjë gjë të madhe për të mbrojtur veten e saj. Alpet e larta të thepisura shqiptare janë mbrojtja më e mirë e tyre. Falë maleve të saj, Shqipëria mund të jetë e rrethuar plotësisht nga vende jomiqësore – Jugosllavia komuniste në veri dhe caktimi i roleve me kapitalistët grekë në jug – por ajo fut ende hundën e saj në të dyja këto vende dhe pjesën e mbetur të botës. Kjo është ekzaktësisht ajo që gjenerali Enver Hoxha, diktatori i Shqipërisë, është duke i bërë tani njeriut kryesor të botës komuniste, Nikita S. Hrushov.
Lindur për të luftuar
Shqiptarët janë të njohur për kapelet e tyre të vogla dhe të bardha në formë shajaku, thurur me dorë nga leshi i kopeve të tyre dhe për rrobat me lesh të pastër të bardhë, të qendisura me të zezë. Pëlhurat e bardha, që bëhen njësh me borën e maleve të tyre dhe qëndisjet me të zezë bëhen njësh me shkurret e malit, duke u mundësuar komitëve shqiptarë (luftëtarëve guerrilë) që kanë dalë dikur dhe vazhdojnë të dalin nga malet të bastisin ultësirat. Kur unë isha atje në ditët e vështira të viteve 1919-1920, ndonjëherë ishte e vështirë dhe për zyrtarët jugosllavë të udhëtonin shumë afër kufirit shqiptar. Dikur pashë një malësor shqiptar në karrigen e berberit që mbante një pistoletë drejtuar barkut të berberit ndërsa rruhej. Nëse brisku do t i rrëshqiste, berberi e dinte se nuk do të ishte gjallë për t u penduar. Në një tjetër rast, mora një shqiptar, të plagosur pas një zënke në një lokal dhe e kam mbajtur në krah deri në spital, ku u operua nga Komiteti Amerikan i Miqve të Shërbimit. Ai ishte goditur në kofshë, brinjë dhe krah, të cilin e humbi përfundimisht. Kur ia prenë, ai refuzoi të merrte narkozën. Tre fe janë përpjekur gjatë të dominojnë Shqipërinë – Kisha Ortodokse Greke në jug, myslimanët në qendër dhe Katolikët në veri. Por feja nuk ka i ka zbutur kurrë shqiptarët që kërkojnë ta zgjidhin gjithçka me armë. Në udhëtimet përmes Shqipërisë së Veriut në ditët e shkuara, ishte e sigurt të udhëtoje vetëm nëse ti merrje leje nga kryeplaku, i cili kishte dhe një rol tjetër. Ai jepte besën e gjakut, pas një shkëmbimi dhuratash. Një pakt vëllazërie gjaku, me anë të së cilës ai jepte besën për të të mbrojtur ty në territorin e tij, ndërsa ti e mbroje atë në tëndin. Nëse ti vriteshe, ai betohej se do të merrte hakun tënd duke vrarë vrasësin. Shtëpitë në shumicën e Shqipërisë janë ndërtuar prej guri dhe të japin përshtypjen sikur janë fortesa. Në katin e parë, të çarat shërbejnë si dritare. Pikërish këtu mbahet dhe bagëtia. Shërbëtorët qëndrojnë në të dytin dhe i zoti i shtëpisë dhe gratë e tij në kat të tretë. Vetëm në kat të tretë ka dritare të vërteta – por dhe këto të mbrojtura nga grila të rënda dhe antiplumb. Rreth shtëpisë, një mur balte me vende të caktuara për të vendsur karabinat, plus një tel me gjemba i kokolepsur janë mbrojtja e zakonshme. Nëse tani kinezët e kuq gëlonin mes Tiranës, kryeqytetin e Shqipërisë, kohët e fundit janë shfaqur shumë pak. Energji ka vetëm në tri qytete. Tuberkulozi mbizotëron ende, veçanërisht mes grave myslimane, të cilat qëndrojnë mbi gazin karbonik të mangallit dhe shumë prej të cilave, shumë vite pas emancipimit të grave myslimane në Turqi, mbajnë ende perçe. Qeveria jugosllave e Titos ka bërë një punë shumë të mirë, duke siguruar shkolla për popullsinë shqiptare, e cila ka zbritur nga malet për të jetuar në tokat e ulëta në anën e kufirit të Malit të Zi dhe Jugosllavisë. Por në Shqipëri shkollat kanë qenë pothuajse inekzistente përgjatë gjithë shekullit. Pasi Musolini nisi të përkulë muskujt e tij në vitet 1920, trupat italiane morën nën kontroll një pjesë të bregdetit shqiptar dhe ndërtuan një bazë nëndetësesh në ishullin e Sazanit, e përdorur nga rusët kohët e fundit si e vetmja bazë detare në ujërat perëndimore. Megjithatë, me ftohjen mes gjeneralit Hoxha dhe Hrushovit, ajo bazë tani raportohet e braktisur. Unë u ktheva në kufijtë e Shqipërisë në vitin 1951. Ishte vendi më pak i vizituar në Evropë – shumë më larg se sa Berlini Lindor dhe ai Perëndimor. Trupat jugosllave e patrullonin atë ditë e natë për t u ruajtur mësymjeve nga njëri apo ndonjë vend tjetër komunist. Shumë vëzhgues besojnë se do të vijë koha kur trupat komuniste ruse do të patrullojnë kufirin komunist kinez në rivalitetin që rritet mes dy vendeve më të mëdha komuniste të botës.
Ky lajm është publikuar: 06/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›