E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Sali Berisha, udhëheqësi legjitim i shqiptarëve

Zëvendëssekretari i Shtetit James Steinberg, në një deklaratë pa ekuivoke për Zërin e Amerikës, ka theksuar se “Kryeministri Sali Berisha është udhëheqësi legjitim i shqiptarëve” dhe se mbi këtë të dhënë të sovranit, duhet punuar për zgjidhjen e ngërçit që po përjeton politika


Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë zyrtarisht se në Shqipëri nuk ka krizë politike dhe se qeveria e dalë prej zgjedhjeve të 28 qershorit, është legjitime. Zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan, James Steinberg deklaroi se Shqipëri ka një ngërç të pazgjidhur, por palët politike duhet të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme të problemeve të tyre. Steinberg tha se Shqipëria realizoi zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke e konsideruar kryeministrin Berisha dhe Qeverinë e tij si legjitimë, për të qeverisur vendin. Steinberg thotë se lëshimet mes palëve duhet të bëhen mbi të gjitha, për përparimin e vendit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Steinberg foli gjatë për Kosovën, por u ndal veçanërisht dhe tek Shqipëria. Duke iu referuar ngërçit aktual të politikës në Shqipëri, Steinberg tha se Shtetet e Bashkuara i kanë mbështetur hapat që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve. Ai tha se ekzistojnë hapat që çojnë drejt pajtimit palët politike. “është një situatë e vështirë. Ne pranojmë se kryeministri është udhëheqësi legjitim i vendit dhe mendoj se duhet të shikojmë përpara por mendoj se ekzistojnë hapa që mund të bëhen për të ndihmuar në arritjen e pajtimit mes forcave politike në Shqipëri. Ne i kemi mbështetur mjaft përpjekjet që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve. Ne shpresojmë se të dyja palët do të tregojnë një farë elasticiteti, të lejojnë vendin të ecë përpara. Shqipëria është në prag të disa hapave që mund ta forcojnë të ardhmen e saj europiane krahas anëtarësimit në NATO. Siç e përmenda, kryeministri Berisha është udhëheqësi legjitim në Shqipëri por mendoj se mund të ndërmarrim disa hapa përpara për të lejuar që të dyja palët të përpiqen të punojnë së bashku”, u shpreh zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Setinberg. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, Steinberg tha se palët në politikën shqiptare kanë nevojë për një shumicë për të miratuar disa ligje në parlament prandaj ky lloj të menduari që mban parasysh të ardhmen do t’i ndihmojë ata të ecin përpara në drejtimin ku të gjithë duan të shkojnë. Duke iu referuar Kosovës, Steinberg hodhi poshtë tezat e ashtuquajtura për ndarjen e Kosovës. “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë shumë të qartë dhe të gjithë partnerët e kuptojnë, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, edhe ato vende që mund të kenë qëndrim të ndryshme lidhur me statusin, se ndarja do të ishte një ide veçanërisht e rrezikshme. Madje edhe shtrimi i një mundësie të tillë thellon tensionet duke e bërë të vështirë të punohet lidhur me çështjet praktike. Do të na duhet të punojnë në suazën e shtetit ashtu siç është tani dhe shpresoj se me kalimin e kohës do të gjejmë mënyrën për të punuar me kolegët tanë serbë në këtë suazë”, deklaroi më tej, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›