Pushkatimi i dytë i të vrarëve
Opinion
Me të keqen e dhunës njeriu vështirë se mësohet. Mund të paraqitet ajo me fjalët më kumbuese, mund të përdoren të gjitha arsyetimet e mundshme, mund t’i vishen qëllimet më fisnike: ushtrimi i dhunës dhe pasojat e saj mbeten sot e mot plagë të malcuara në trupin e shoqërisë. Ky është një nga mësimet themelore të historisë. Ka vetëm një ilaç kundër efektit negativ që përpiqet të ushqejë harresa e qëllimtë: të flitet për këtë dhunë dhe për dhunuesit deri sa të shlyhet dhëmb për dhëmb e keqja që kanë bërë, me vetëdije apo jo. Nuk besoj se është çështje kohe. Nuk besoj se është çështje durimi, përsiatjesh, diskutimesh.
Kush e përcakton sa kohë duhet pritur që ata që kanë vrarë ta kenë një emër? Kush di ta thotë sa kohë ende do të duhet që të zbulohet deri në fund gjenocidi i ushtruar mbi popullin shqiptar?
Kam pasur rastin ta them edhe më përpara: të gjithë ata që u vranë - me ose pa gjyq - e kanë pasur një emër, madje të nderuar. Po vrasësit do të mbeten përherë anonimë? Pse? Në emër të kujt? Mendoj se nuk është thjesht një çështje hakmarrjeje. Ku shpaloset hakmarrja hesht drejtësia. është në radhë të parë një çështje që ka të bëjë me aftësinë e një populli për të kapërcyer një ngërç historik, por edhe me shumë moral. Dhe për të dënuar të paktën moralisht ithtarët dhe zbatuesit e gjenocidit komunist. Por të dënohen gjithëmbarësisht. Lexova nëpër gazeta se nipi i dom Shtjefën Kurtit nuk ka mundur të gjejë ende eshtrat e ungjit të tij. Natyrisht që nuk është rasti i parë, se edhe për disa kohë të tjera nuk do të jetë i vetmi.
Dom Shtjefnin e kam njohur. Dhe e kam para syve atë gazmendin e tij sa herë që do t’i fliste dikujt, qetësinë e tij kur diskutonte, butësinë që rrezatonte tërë qenia e tij. Ishte meshtar edhe në burg. Përpiqej të ngushëllonte, të qetësonte atë që nuk e përballonte dot peshën sfilitëse të burgimit dhe të ngjallte shpresë tek ata që e lëshonin veten. Qe meshtar edhe mbas burgut dhe pagoi me jetë pagëzimin e një fëmije, në një kohë kur kishte filluar fushata çnjerëzore kundër fesë. E pushkatuan. Nuk kishte kryer asnjë krim. Ishte një nga mijëra të zhdukurit pa lënë gjurmë në kohën e diktaturës. Në të gjitha shtetet sheh përmendore kushtuar ‘Ushtarit të Panjohur’ në shenjë mirënjohjeje për flijimin e tij ekstrem. Ne në Shqipëri nuk kemi as varret e martirëve të pushkatuar barbarisht nga xhahilët e komunizmit.
Qerreti në Malin e Dajtit apo Mali me Gropa mund të shndërrohen edhe ata në simbole të terrorit të kuq te ne, por nuk janë të vetmet vende ku është bërë përpjekja makabre për të fshirë çdo gjurmë të të vrarëve. Përpjekje kjo e menduar mirë e hollë: sepse aty ku vriteshin viktimat, vendi bëhej i paarritshëm: ngriheshin reparte ushtarake. A kishte ç’të shpikte tjetër mendja e mbrapshtë dhe mizore e atyre që urdhëronin, por edhe e atyre që ligjëronin dhe zbatonin shfarosjen?
Sa varreza si ajo e malit të Dajtit fshihen nëpër Shqipëri? Deri kur të afërmit e të vrarëve pa varr nuk do ta kenë një rrasë guri ku t’i qajnë? Deri kur njerëzit do të vërtiten me lopata e kazma në krahë për të gërmuar aty ku mendohet se mund të gjenden eshtra të vrarësh? Dihet kush ka qenë në togat e pushkatimit (sot nuk mund të thuhet se nuk mund të njihen emrat e tyre), dihet kush i ka komanduar, kush i ka ligjëruar këto vrasje makabre, duke filluar që nga gjykatat e thjeshta ushtarake e më lart: u dashka pritur të zbulohet edhe një varr tjetër i përbashkët, apo një apo dhjetë të tjerë të këtillë që të zgjohet ndjenja për drejtësi? U dashka pritur që përpjekja individuale të zërë vendin e interesimit të shoqërisë? Kaq e vështirë është të quhen gjërat me emrat e tyre të vërtetë?Lajmi i gjetjes së varrit të përbashkët në Dajt, më kujtoi zhvarrimin e eshtrave të tim eti dhe të viktimave të tjera të bombës në ambasadën sovjetike. Mbi dyzet vjet u hesht për vendin e pushkatimit (që u bë edhe vendvarrimi i tyre). Gjatë atyre dyzet vjetëve unë e qaja tim atë mbi varret e të tjerëve, të njohur dhe të panjohur. Dhe, ashtu si u pushkatuan bashkë të njëzetedy viktimat, ashtu edhe u varrosën: në një arkivol të përbashkët. Në një varr të përbashkët. Por një varr e patën, edhe pse mbas gati gjysmë shekulli. Po të tjerët? Dhe kjo nuk është thjesht një pyetje: është e drejta e të rënëve të mos qiten në harresë, është e drejta e mohuar familjarëve të tyre, është ngërçi moral i një shoqërie që nuk po gjen vetveten, është vijimi i përpjekjes për të lënë në harresë një faqe të historisë shqiptare, përpjekje që ngre zërin edhe nga varret – qofshin edhe të paditura – për të mos harruar.
Diktaturat kanë bashkudhëtare mashtrimin, dhunën dhe heshtjen. Ka ardhur koha që t’u kundërvihen drejtësia, paqja dhe e vërteta. Kjo është detyrë e mbarë popullit, por nga kjo përpjekje fisnike dhe e vonuar nuk duhet të mbeten jashtë institucionet. Me të gjitha mundësitë dhe pa humbur kohë, në mënyrë që era e harresës të mos fshijë edhe të fundit gjurmë a shenjë mbi dheun e varreve të përbashkëta të viktimave të përbindëshit komunizëm. Dhe arsyetimi i fundit: komunizmi nuk është një nocion abstrakt. Ai është vepra kolektive – e vetëdijshme apo jo pak rëndësi ka – e një morie individësh që e pranuan dhe e ushtruan dhunën pa bërë, më pas, qoftë edhe sa për sy e për faqe, gjestin e Pilatit që lau duart publikisht kur u vendos të kryqëzohej Krishti. Nuk besoj se ky gjest i tyre është shenjë burrnie. Por unë kam frikë se mos përpara një shoqërie harraqe dhe një drejtësie zemërgjerë, ata e ndiejnë veten të paprekshëm. Kjo do të ishte sikur viktimat e diktaturës komuniste të pushkatoheshin për herë të dytë, aty brenda varreve të tyre të paditura.
#