E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta merr pjesë në festimet e 65- vjetorit të krijimit të Brigadës VII sulmuese në Skrapar

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ishte dje i pranishëm në festimet që zhvilloheshin në Skrapar, me rastin e 65- vjetorit të krijimit të Brigadës VII sulmuese dhe kontributit që kjo brigadë dha në Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Në këto festime Meta shoqërohej nga kandidati i LSI për deputet në Skrapar, Nasip Naço dhe nga deputeti Spartak Braho. Gjatë këtij aktiviteti lideri i LSI ka zhvilluar takime të ngrohta me qindra veteranë, ish-anëtarë të kësaj Brigade. Njëkohësisht Meta i shoqëruar edhe nga Nasip Naço kanë vendosur kurora me lule në varrezat e dëshmorëve të Skraparit, në nderim dhe përkujtim të dëshmorëve të rënë për çlirimin e vendit. Duke vlerësuar sakrificat e mëdha, jo vetëm të kësaj brigade, por edhe të gjithë partizanëve dhe partizaneve në këtë luftë, Meta shprehu mbështetjen e tij të plotë për kontributin që ata dhanë në çlirimin e vendit. Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem i pranishëm në 65- vjetorin e krijimit të një prej brigadave më heroike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, atë të krijimit të Brigadës së VII sulmuese, u shpreh Meta. Me këtë rast Meta falënderoi në mënyrë të veçantë Komitetin e Veteranëve të Skraparit, Bashkinë e Skraparit, dhe të gjithë komunitetin e Çorovodës, për angazhimin e tyre që tregojnë jo vetëm për të pritur ish-partizanë dhe ish-partizane, por në mënyrë të veçantë për përkujtimin solemn që i bëhet kësaj date historike për vendin tonë. Ai shprehu besimin e tij, se në të ardhmen, kjo festë do të përkujtohet po me kaq madhështi edhe në  100- vjetorin e krijimit të saj. Më pas ai u shpreh se respekti dhe mirënjohja për ata që luftuan për çlirimin e atdheut, për ata që e shpëtuan Shqipërinë, jo vetëm nga pushtimi por edhe nga copëtimi i vendit në rast se do të ishte rreshtuar në krahun e gabuar në atë kohë, do të kujtohen gjithmonë po me të njëjtin respekt dhe madhështi, sepse me këtë patriotizëm, dhe me këtë atdhedashuri edukohen sot jo vetëm të rinjtë dhe të rejat në Skrapar, por jam i bindur në të gjithë Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›