E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-ja sjell “fatin” e pengmarrësit të studentes

19/04/2010 Pas përkthimit do mësohet nëse Romeo Leka vuan apo jo nga probleme psikike

Dje mbërriti nga Amerika përgjigja për grabitësin e bankës, pak javë më parë

TIRANË- Shtetet e Bashkuara i përgjigjen interesimit të avokatëve mbrojtës të 25-vjeçarit Romeo Leka, akuzuar për grabitje banke dhe rrëmbim personi, duke sjellë një akt-ekspertize që përcakton nëse vuan apo jo nga probleme psikike. Sipas mbrojtjes së Lekës, katër ditë më parë erdhi përgjigja me postë, brenda së cilës ndodhet fati i tij. Ndërkohë që të njëjtat burime theksuan se ende nuk është bërë përkthimi i materialit të dërguar. Klojda Dashi tha se me anë të postës ka mbërritur një CD dhe një zarf, brenda të cilit ndodhet e shkruar në anglisht përgjigja përfundimtare për Romeo Lekën, njeriun që grabiti në mes të ditës me anë të një pistolete, filialin e një banke në afërsi të Presidencës e më pas mbajti për 30 minuta peng një vajzë nga Skrapari. Sipas Dashit, letra e ardhur së bashku me CD do të paraqiten në gjykatë si provë dhe vetëm me vendim të saj do të mund të bëhet përkthimi dhe marrja e një përgjigje përfundimtare. Nëse rezulton se Mjekësia në Amerikë e ka deklaruar të papërgjegjshëm, atëherë Leka do t’i shpëtoi edhe burgut, por me vendim gjykate, do të përfundoi në spitalin psikiatrik me mjekim të detyrueshëm. Rome Leka ka qenë në Amerikë dhe prej andej është larguar pas marrjes së një dënimi dhe deklarimit si person me probleme mendore. Pas largimit nga Amerika, Leka ka shkuar në Greqi, ku dy javë para se të kryente grabitjen e bankës në Tiranë, ai ka vrarë një djalë në bashkëpunim me një shtetas grek. Aktualisht ai ndodhet në “arrest burgu” dhënë nga Gjykata për Krime të Rënda. Ka pranuar grabitjen e bankës dhe marrjen e vajzës peng, por është shprehur se nuk ka pasur si qëllim që ta vriste atë. Madje ai është shprehur se i bëri propozim vajzës që të merrte paratë dhe të largohej. Avokatja e tij Klojda Dashi edhe në seancën për dhënien e masës së sigurimit, u shpreh se Romeo Leka vuan nga probleme mendore, duke kërkuar kryerjen e një akti ekspertize. Ndërsa ai vet ka thënë se u detyrua të grabiste bankën, pasi kishte nevojë për para.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›