Turneu i Obamës, në listën e vendeve islamike edhe Kosova
Presidenti i ri amerikan, Barak Obama diskutohet të vizitojë edhe Kosovën, si një nga vendet që kanë propozuar këshilltarët e tij. Nëse lajmi i publikuar nga “Washington Post” është i vërtetë, atëherë Kosova do të shënojë një fitore tjetër historike, duke u vizituar nga presidenti i shtetit më të fuqishëm të botës vetëm një vit pas formimit si Republikë e pavarur. Presidenti, i cili që kur është betuar ka kaluar vetëm një rreze pak miljesh nga Shtëpia e Bardhë, pret vendimin e këshilltarëve të tij se kur do ta dërgojnë në vende të tjera të botës. Gjatë fushatës presidenciale Obama premtoi të vizitojë një vend mysliman brenda 100 ditëve të para në zyrë. Por këshilltarët e tij thanë se në ditët e para presidenti nuk do të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Ata nuk kanë njoftuar as data specifike për udhëtimet e tij jashtë vendit, të cilat tashmë janë duke u diskutuar, përveç një vizite më 19 shkurt në Kanada, e cila është një vizitë tradicionale e presidentëve amerikanë. Ndërkohë Obama po përdor bashkëpunëtorët e tij, si Xhorxh Mitçell, të dërguarin në Lindjen e Mesme, për udhëtime në një duzinë vendesh. Zyrtarët në shtëpinë e Bardhë argumentojnë se është kriza ekonomike ajo që po pengon planet rrugë-gjata të Obamës. Këshilltarët e tij po diskutojnë mbi idenë se është mirë që udhëtimet e Obamës të fillojnë me një turne brenda vendit me temën qendrore krizën ekonomike. Disa takime të rëndësishme për Obamën tashmë janë vendosur. Më 2 prill ai do të jetë në Londër për takimin e G20, mbledhja e vendeve me ekonomitë më të fuqishme në botë, si dhe do të jetë në një takim të vendeve të NATO-s në Strasburg dhe Francë, më 3 dhe 4 prill, në një turne evropian. Më vonë gjatë prillit presidenti pritet të marrë pjesë në Samitin e Amerikës, një takim i krerëve të shteteve rreth hemisferës, në Port-Spanjë, Trinidad dhe Tobago. Por ajo që është më interesante është vizita e Obamës në një vend mysliman, për të cilin sugjerohet të jetë nga Malajzia, Indonezia apo Egjipti. Lista e propozimeve është e pafundme. Kreu i Dhomës përfaqësuese për komitetin e Çështjeve me Jashtë, Eliot L. Engel tha se përveç Trinidadit dhe Tobagos, Obama mund të vizitojë Kosovën, “një vend shumë pro-perëndimor dhe me shumicë myslimane”, që nuk ka qenë në vëmendjen e presidentëve, që në kohën e luftës që përfundoi gjatë administratës Klinton.