E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA kritikon gjyqësorin dhe situatën e burgjeve në Shqipëri

01/03/2005  Bello: Raporti Amerikan nxitje për qeverinë shqiptare

Në një raport të dalë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, që bën fjalë për respektimin e të drejtave të njeriut, Shqipëria cilësohet si vendi, që është ende larg standarteve perëndimore. Sipas këtij raporti, kushtet në paraburgim vazhdojnë të shfaqen me probleme. Si shembull, është marrë vdekja e 17-vjeçarit nga Mirdita, Erigert Ceka. "Kushtet në burgje dhe në qendrat e paraburgimit vazhduan të jenë të këqia, megjithë përpjekjet e qeverisë për zgjidhjen e problemeve të tilla, si mbingarkesa e burgjeve. Gjatë vitit 2004 nuk pati vrasje politike, por forcat e rendit shkaktuan vdekjen e një 17-vjeçari, si pasojë e rrahjes nga policia. Vendi vazhdoi të përjetojë nivele të larta të krimit të dhunshëm", thuhet në raport. Duke folur për gjykatat dhe drejtësinë, në raportin e departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet se për shkak të presioneve politike, frikësimeve, korrupsionit të përhapur, rryshfeteve dhe fondeve të pamjaftueshme, një pjesë e mirë e gjyqësorit nuk ishte në gjendje të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efikase. Përsa i përket mjeteve të informimit, raporti thekson se në Shqipëri pati probleme serioze, në aspektin e përdorimit të medias për qëllime politike. Gazetarët vazhduan të praktikojnë vetcensurën dhe në financimin e mjeteve të informimit pati pak transparencë. Gjithashtu, sipas raportit, një pengesë e madhe për reformat në vend u bë korrupsioni. Gjatë vitit 2004, prokuroria mori në shqyrtim 376 raste korrupsioni të zyrtarëve, por nuk u dha ndonjë dënim i rëndësishëm. Ndërkohë, ministri i Shtetit, Marko Bello me anë të një deklarate për shtyp, ka përshëndetur raportin e Departamentit të Shtetit si inkurajues për të ardhmen. "Qeveria i konsideron si qëndrime inkurajuese vlerësimet në raport, sipas të cilave të drejtat e njeriut, në Republikën e Shqipërisë, janë njohur dhe respektuar në përgjithësi. Ajo mirëpret të gjitha vërejtet dhe shqetësimet e shprehura në raport, lidhur me rastet e përmendura për tejkalim kompetencash nga autoritetet dhe agjensitë shtetërore", thuhet në deklaratën e qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›