E Diel, 1 Nëntor 2026

Sovjetikët në Mesdhe, Italia kërkon takim me Hoxhën

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Romë, 21 qershor 1969 – Zgjerimi i paprecedent i operacioneve ushtarake të flotës sovjetike në detin Mesdhe e detyroi ministrin e Jashtëm italian, Pietro Neni, të udhëtonte drejt Beogradit për tu këshilluar me presidentin jugosllav Tito. Asgjë nuk i shqetëson më shumë autoritetet italiane sesa fakti që Mesdheu, det i cili dikur konsiderohej i sigurt për sa kohë ishte nën mbrojtjen e Flotës së Gjashtë Amerikane, po shkelet gjithnjë e më tepër nga Bashkimi Sovjetik. “Ne e dimë se Flota e Gjashtë Amerikane është ende superiore ndaj çdo anijeje të flotës ruse në detin Mesdhe”, - tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme italiane. “Por çfarë garancie kemi ne, kur të njëjtët senatorë amerikanë, të cilët duan ti tërheqin trupat amerikane nga Vietnami dhe Evropa Perëndimore, nuk do të vendosin një ditë se nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara rrezikimi i një konflikti me Rusinë për Italinë?” Jo se italianët presin një sulm të mundshëm sovjetik, por si shumica e vendeve evropianoperëndimore, ata nuk e konsiderojnë më NATO-n e dominuar nga amerikanët si një mbrojtje efektive kundër agresionit rus. Sigurisht që Tito i konsideron sovjetikët si të rrezikshëm që prej pushtimit të Çekosllovakisë gushtin e shkuar. Vetë një marksist-leninist, presidenti jugosllav i kupton shumë mirë rusët, por nuk u beson atyre. Ai i frikësohet në veçanti “pavarësisë së kufizuar” që gjoja i jep Moskës të drejtën për të ndërhyrë në çdo vend komunist, ku sipas gjykimit të tyre, “socializmi është nën kërcënim”. Edhe udhëheqësi komunist italian, Luixhi Longo, nuk u beson më sovjetikëve. Për të evituar ndarjen në partinë e tij komuniste, ai duhet ti bëjë premtime boshe udhëheqjes së Moskës. Por të paktën gjatë mbledhjes së Partive Komuniste në Moskë, Longo këmbënguli pavarësisht përpjekjes së Kremlinit për ta kërcënuar, se Rusia nuk kishte të drejtë ta pushtonte Çekosllovakinë dhe se doktrina sovjetike e “kufizimit të pavarësisë” ishte në kundërshtim me parimet e marksizëm-leninizmit. Megjithatë, dhe toni i Leonid Brezhnjevit në këtë takim ishte disi më i qetë. Udhëheqësi rus u tha delegatëve se vëmendja e të gjithë botës ishte fokusuar tek diskutimet e tyre. “Imperialistët e të gjitha vendeve dhe larot e tyre i frikësohen bashkimit tonë dhe me siguri do të përpiqen të bëjnë të pamundurën për të nënvleftësuar rëndësinë e konferencës, për ti përcjellë punimet dhe rezultatet e saj të shtrembëruara”, - paralajmëroi ai. Por arsyeja e vërtetë se përse konferenca është mbledhur, tregoi dëshirën e partive prezente për të “bërë detyrën ndaj klasës punëtore ndërkombëtare dhe popujve të tyre”, - deklaroi Brezhnjevi. Qartazi, nga parashikimi i lëvizjeve agresive sovjetike, Meni dhe Titoja vendosën që vendet e tyre do të ishin më mirë, nëse do të bashkëpunonin dhe gjenin rrugët e nisjes së “kontakteve të gjera dhe direkte”, të cilat pikësynim kishin organizimin e një konference për problemet e Mesdheut. Komunikata e fundit la të kuptohej se me fjalën “kontakte” Roma dhe Beogradi donin të thoshin dhe Shqipëria Komuniste, i vetmi aleat i Kinës në zonën mesdhetare, ku Pekini tashmë është duke ndërtuar një bazë ushtarake. Tirana u tërhoq nga Traktati i Varshavës një vit më parë me justifikimin e pushtimit të Çekosllovakisë nga sovjetikët. Kur lidhjet me Moskën u përkeqësuan, ato me Pekinin u përmirësuan. Shqipëria përsëriti madje dhe një deklaratë të zëvendësadmiralit amerikan, Tërner F. Kalduell Junior, drejtor i programeve të luftës kundër nëndetëseve, i cili paralajmëroi në tetor se Rusia po përpiqej të fitonte supermacinë në Mesdhe. Kalduelli e përshkroi shfaqjen në det të helikoptermbajtëses sovjetike “Moskva” si një bazë që shërbente për helikopterët antinëndetëse dhe avionët luftarakë që ngrihen nga vendi. Një tjetër oficer amerikan, admirali Tomas H. Murer tha se operacionet detare sovjetike “po bëhen, pa dyshim, gjithnjë e më shumë agresive dhe po drejtohen në distanca gjithnjë e më të largëta nga baza e tyre qendrore”. Që prej atëherë flota sovjetike në Mesdhe është zgjeruar ndjeshëm. “Porti egjiptian i Aleksandrisë dhe ai sirian i Latakias vizitohen rregullisht nga anijet ushtarake ruse. Por shërbimet sekrete italiane mendojnë se porti më i rëndësishëm i rusëve është ai i ish-bazës detare franceze, Mers-el-Kebir, në Algjeri, të cilin anijet sovjetike e përdorin për riparime urgjente, furnizim me karburant dhe rezerva. Këto manovra të Kremlinit duken si një reagim ndaj shqetësimit të Moskës për Perëndimin. Rusia e ka konsideruar prezencën e Flotës së Gjashtë Amerikane në ujërat mesdhetare si kërcënim të një agresori të mundshëm. “Si një fuqi e Detit të Zi dhe me shumë mundësi edhe një fuqi mesdhetare, Bashkimi Sovjetik është shumë i lidhur me problemet që prekin interesat e kësaj pjese të Evropës, Azisë dhe Afrikës” , - shkruante në një editorial të fundit gazeta moskovite “Pravda”. Organi zyrtar i Partisë Komuniste Sovjetike bëri të qartë se Flota Ruse e ka braktisur rolin e saj mbrojtës dhe është shndërruar në një instrument të diplomacisë së Kremlinit.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›