E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA ndalon Izraelin të sulmojë Iranin

Sipas së përditshmes "The New York Times", Presidenti Xhorxh Bush ka hedhur poshtë një kërkesë sekrete të Izraelit për sulme me bomba antibunker kundër kompleksit kryesor nuklear të Iranit, ndërkohë që ka pranuar autorizimin e shërbimeve të fshehta për të ndërmarrë veprime sabotazhi kundër segmenteve të përfshira në prodhimin e armëve bërthamore. Mediat amerikane bëjnë me dije se nuk mund të thuhet me siguri nëse Shtëpia e Bardhë qe vënë në dijeni pasi Izraeli kishte vendosur ndërmarrjen e këtij veprimi, apo se qe veç një përpjekje e Kryeministrit Ehud Olmert për ta shtyrë Bushin të hidhej në veprim para largimit nga detyra pas pak ditësh. Nga ana e autoriteteve izraelite nuk u lëshua asnjë prononcim lidhur me këtë çështje.

Një oficer i lartë amerikan kishte thënë në shtator për agjencinë "Reuters" se Pentagoni kishte refuzuar një kërkesë të Izraelit për një "ofensivë" të papërcaktuar mbi Iran. Për të qetësuar disi izraelitët, Uashingtoni u dha radarë të avancuar për zbulimin e shtrateve të raketave.

Sipas revistës amerikane "Time", detajet e veprimtarive të sabotazhit, të kërkuara nga administrata Bush, bashkë me përpjekjet për të penguar sulmin e mundshëm izraelit mbi Iran, u zbuluan me ushtarakë të lartë amerikanë, inspektorë ndërkombëtarë armësh nukleare, ekspertë të huaj, si dhe zyrtarë evropianë dhe izraelitë. Nga revista mësohet se asnjë prej tyre nuk ka pranuar t‘i japë informacionet publikisht, por tregohet se pjesa më e madhe e informacionit ka dalë nga burime pranë shërbimeve të fshehta dhe administratës amerikane.

Vërehet nga "Time" se "ndërkohë që Xhorxh Bush qe i informuar në mënyrë të detajuar mbi opsionet e një sulmi amerikan në Iran, nuk e instruktoi në asnjë rast Pentagonin të shkonte përtej planifikimit, përkundrejt asaj që mendojnë disa kritikë".

Ndërkaq, sipas disa njerëzve të përfshirë në një program sekret, Xhorxh Bush, duke parë se ndërmarrja e sanksioneve ekonomike kundër Iranit qe e papërshtatshme, mendoi më mirë t‘i drejtohej CIA-s, duke autorizuar një ndërhyrje që do të kishte në shënjestër infrastrukturën që mbështet programin nuklear të Iranit.

Nën administratën e Xhorxh Bushit, mandati i të cilit përfundon më 20 janar, Uashingtoni këmbënguli pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për sanksione më të forta kundër Iranit, për ta detyruar ta ndalte programin nuklear, i cili, sipas kombeve perëndimore, fsheh qëllime ushtarake. Irani, i cili nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që përdor gjuhë shumë të ashpër kundër Izraelit, këmbëngul se programi i tij nuklear ka tërësisht qëllime civile.

Revista "Times" nënvizonte dyshimet e zyrtarëve të administratës Bush mbi shanset për sukses të shërbimeve sekrete, duke parë stadin e avancuar të përpjekjeve iraniane për prodhimin e armëve nukleare. Të tjerë zyrtarë, sipas revistës, qenë të mendimit se Izraeli nuk do kish hequr dorë nga planet për të goditur Iranin në rast se do t‘i gjykonte të pamjaftueshme planet e shërbimeve të fshehta amerikane. Gjithsesi, Izraeli ka mbështetur rrugën diplomatike të ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pa përjashtuar opsionin për ndërhyrje ushtarake.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›