E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, BE: Nuk ka klasifikim që lë pas Shqipërinë

 

Nuk ka asnjë klasifikim të Bashkimit Evropian që lë mbrapa Shqipërinë lidhur me liberalizimin e vizave. Deklaratën e bëri dje në Bruksel zv.ministri i Jashtëm çek, Tomas Pojar, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE–së, në përfundim të takimit të parë BE–Shqipëri pas hyrjes në fuqi të MSA–së. Bashkimi Evropian vlerëson progresin që ka ndërmarrë Shqipëria në të gjithë sektorët, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe proceset integruese. Në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, Pojar duke vënë theksin te ky progres i qëndrueshëm, shprehu bindjen në vazhdimësinë e tij edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Shqipëria ka bërë hapa përpara në të gjitha fushat, sidomos përsa i takon korrupsionit. Zgjedhjet do të jenë një test i rëndësishëm. Janë bërë hapa përpara gjatë gjithë këtyre viteve të fundit dhe ne shpresojmë se kjo rrugë e nisur do të vazhdojë”, u shpreh Pojar. Gjithashtu, në këtë takim është diskutuar edhe në lidhje me heqjen e regjimit të vizave, zgjedhjet dhe situatën në rajon. Përsa i përket liberalizimit të vizave, presidenca çeke ka deklaruar se është ende herët për të thënë se cili do të jetë vendimi i Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se të gjitha vendet do të vlerësohen në bazë të arritjeve të tyre. Pojar ka hedhur poshtë zërat se ka pasur një klasifikim që ka lënë pas Shqipërinë në këtë proces. “Procesi i liberalizimit të vizave do të vijojë. Në të gjitha rastet do të vlerësohet progresi që vendet kanë bërë në kuadër të heqjes së regjimit të vizave. Eshtë ende e parakohshme të themi se cili do të jetë vendimi i BE–së. Por reformat e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë në stade të ndryshme fillimi, pasi ato e kanë nisur këtë proces në periudha të ndryshme”, vijoi më tej Pojar. Ministri Basha ka konfirmuar edhe njëherë se heqja e vizave mbetet prioritet i qeverisë shqiptare dhe se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të arritur lëvizjen e lirë të qytetarëve. “Procesi i heqjes së vizave është një prioritet i qeverisë shqiptare. Pajisja me karta identiteti dhe pasaporta biometrike janë kritere të përmbushura për heqjen e vizave. Qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që shqiptarët të lëvizin pa viza”, deklaroi Basha gjatë këtij takimi.

PS: Berisha izoloi shqiptarët 
Nënkryetari i grupit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi dje për mediat se qeveria aktuale është përgjegjëse për “dënimin” që iu dha shqiptarëve lidhur me dëshirën e tyre për të lëvizur të lirë. Braçe akuzoi Berishën se vuri interesat e të birit përpara atyre kombëtare, duke iu referuar kështu fakteve të publikuara në media, ku djali i kryeministrit akuzohet për afera korruptive me tregtinë e armëve. PS-ja akuzoi gjithashtu Berishën si diktator, që me regjimin e tij diktatorial dogji shansin që BE-ja i dha shqiptarëve, duke i izoluar ata. Në këtë pikë Braçe theksoi se vlerësimet e BE-së për ecurinë e reformave në vend ishin realiste. Sipas tij, KE-ja vlerësoi të rëndë cenimin e pavarësisë së gjyqësorit, sulmin ndaj drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›