E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqezinjtë në Evropë, aty ku mbijetesa është çështje dite

 

Leonard Karaj

Aktivizohen përgjithësisht në skuadra të vogla ndaj trofeu i tyre në çdo fund sezoni është mbijetesa. Hiq Lorik Canën, Marseja e të cilit më shumë se kurrë është në prag të titullit kampion dhe Altin Haxhin, i cili tashmë është shpallur kampion në Qipro me APOEL-in, shumica e skuadrave të tjera ku aktivizohen futbollistët shqiptarë po përjetojnë një krizë të madhe në rezultate. Madje javët e fundit në disa liga në Evropë mund të jetë fatale për ekipet e futbollistëve shqiptarë, të cilët rrezikojnë seriozisht ta shohin veten duke luajtur për sezonin e ri në një kampionat më inferior. Duke filluar nga Italia fqinje e deri tek Ukraina e Rusia, skuadrat ku luajnë legjionarët kuqezinj janë në krizë të thellë rezultatesh.
Serie A
Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i kampionatit në Serie A dhe Chievo e Erjon Bogdanit dhe Torino e Blerim Xhemailit rrezikojnë ende largim nga elita e futbollit italian. Ndonëse java e fundit zhvilluar dje dhuroi dy rezultate interesante dhe mjaft shpresëdhënëse për këto dy skuadra sërish mbijetesa është në dyshim. Torino e mesfushorit shqiptar nga Tetova por me pasaportë zvicerane, renditet në vend të 17-të me 34 pikë, një më shumë se vendi i dytë nga fundi që të çon automatikisht në Serie B. Dje Torino fitoi në Napoli duke bërë një hap të madh por trepikëshi i marrë në fushë të vet edhe nga Bolonja (33 pikë) ka lënë ende në dyshim qëndrimin e skuadrës granada në Serie A. Pak më mirë duket gjendja e Chievo-s së Erjon Bogdanit e cila barazoi dje në fushën e vështirë të Xhenoa-s. Sulmuesi shqiptar luajti si titullar për 72 minuta. Aktualisht Chievo renditet i 16-ti me 37 pikë.
Serie B
Në ligën e dytë të Italisë, Rimini i Migjen Bashës arriti një fitore të artë ditën e shtunë në fushën e Albinolefes duke u ngjitur në kuotën e 49 pikëve, aty ku ndodhet edhe Askoli i Edgar Çanit, por gjithsesi që të dyja skuadrat rrezikojnë ende rënien nga kategoria. Modena, skuadra e fundit që ndodhet në rrezik rënie është vetëm 4 pikë larg dy ekipeve të shqiptarëve. Ndërkohë që lajm i mirë mund të quhet për Ravenën e Brian Filipit (prej sezonit tjetër lojtar i Palermos në Serie A) e cila ka shanse për të luajtur play-off për ngjitjen në Serie B.
Bundesliga
Në elitën e futbollit gjerman skuadrat ku aktivizohen shqiptarët nuk i kanë pasur punët asnjëherë më keq. Energie Cottbus i Ervin Skelës, Armendia Bielefeld i Berat Sadikut, Bochum i Mërgim Mavrajt dhe Karlsruher e Edmond Kpllanit rrezikojnë seriozisht me largim nga Bundesliga. Më keq është skuadra e Skelës dhe Kapllanit. Madje Karlsruher e sulmuesit shqiptar duhet jo vetëm të fitojë në ndeshjen e fundit të kampionatit gjerman por edhe të shpersojë që Kotbus i Skelës dhe Arminia Bielefeldi i Sadikut të mos arrijnë të marrin asnjë pikë. Kur kanë mbetur edhe një javë nga fundi Frankfurtit të Faton Toskit i duhen edhe një pikë për ta siguruar mbijetesën, derisa Hanoveri i Altin Lalës është i qetë pasi ka siguruar mbetjen në elitën e futbollit gjerman.
Bundesliga 2
As në ligën e dytë gjermane klubet e lojtarëve shqiptarë nuk i kanë punët më mirë. Ekipi i Koblenzit, ku aktivizohen treshja shqiptare Fatmir Vata, Njazi Kuqi dhe Ronaldo Rama, rrezikon me largim nga liga. Vetëm fitorja e djeshme (gol tripikësh i Fatmir Vatës) duket se po i vë pak në vijë gjërat edhe për skuadrën e Uve Rapolder. Koblenz zë vendin e 13 me 38 pikë, dy më shumë se Osnabruck, ekipi i fundit që bie nga kategoria. Ndërkohë Ingolstadt i Valdet Ramës është matematikisht i rënë nga Bundesliga 2. Sezonin e ardhshëm Ingolstadt do të garojë në një rang më të ulët garash (Bundesliga 3).
Axpo Superliga (Zvicër)
Në elitën e futbollit zviceran, ekipi i Vaduzit ku luan Seher Fejzullahu, Sioni i Florian Berishës dhe Luzerni i Burim Kukelit po luftojnë edhe për mbijetesë. Dy javë nga përfundimi Vaduzi është matematikisht i rënë ndërsa Sioni dhe Luzerni po mundohen t’i ikin vendit të nëntë, i cili çon në garat e play-out.
SAS Liga (Danimarkë)
Edhe në elitën e futbollit danez Horsens i Besart Berishës dhe Nordsjaelland i Bajram Fetait rrezikojnë me largim nga liga. Kur kanë mbetur edhe dy javë Horsens gjendet në zonën e rrezikshëm me 23 pikë të tubuara, derisa Nordsjaelland gjendet dy vende më lart (9) me pesë pikë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›