E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, rritja ekonomike nis në tremujorin e tretë

Sipas një parashikimi të institucioneve ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i publikuar të dielën, ekonomia e vendit do të nisë të shënojë rritje gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, ndërkohë që rritja e përqindjes së papunësisë pritet të ndalet në muajt e parë të vitit 2010. Rënia ekonomike pritet të zbutet gjatë tremujorit të dytë të këtij viti pas rënies së fortë gjatë fundit të vitit të shkuar dhe muajve të parë të 2009-s. Sipas ekspertëve amerikanë të ekonomisë, kontraktimi i produktit të brendshëm bruto për periudhën e tremujorit të dytë të vitit do të jetë 1.7 për qind, 0.4 për qind më pak se parashikimi i bërë përpara një muaji, ndërkohë që do të rritet me 1.8 për qind në vitin 2010. Në prill, ekspertët kishin parashikuar se GDP-ja do të kontraktohej në masën 2.6 për qind. "Muaji i kaluar na furnizoi me prova të freskëta se rënia në aktivitetin e biznesit ka nisur të zbutet, duke vërtetuar edhe më tej parashikimet sipas të cilave ekonomia do të dalë nga recesioni gjatë gjysmës së dytë të këtij viti", shkruhej në dokumentin e formuluar nga ekspertët.

Ndërkaq ekonomia në kuadrin e përgjithshëm po jep shenja pozitive. Mesatarja e regjistrimit të të papunëve të rinj, shenjë shumë domethënëse e trendit të punësimit, duke qenë se është një e dhënë që matet me saktësi çdo javë, ka shënuar ulje të vazhdueshme për katër javë me radhë. Indeksi i aktivitetit të manifakturimit të matur nga Instituti i Menaxhimit të Mbështetjes u rrit në mesataren më të lartë të vërejtur gjatë këtyre shtatë muajve të fundit, ndërkohë që indeksi i aktivitetit të sektorit të shërbimeve ka arritur gjatë muajit prill nivelin më të lartë që prej tetorit të vitit të shkuar.

Rreth 80 për qind e ekspertëve që morën pjesë në studimin në fjalë janë të mendimit se edhe rënia në industrinë e pasurisë së paluajtshme është pranë ndaljes dhe se gjatë fundit të këtij viti edhe ky sektor i rëndësishëm i ekonomisë do nisë të kontribuojë në rritjen e produktit të brendshëm bruto në vend. Parashikimet e fundit e shohin rritjen e produktit të brendshëm bruto me ritmin prej 0.5 për qind, ndërkohë që sipas parashikimeve të mëparshme ajo nuk do ta kalonte mesataren prej 0.4 përqindësh. Kjo do të thotë se rritja për tremujorin e fundit do të jetë 1.8 për qind dhe jo 1.6 për qind, siç ishte parashikuar vetëm një muaj më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›