E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA urime per qeverine e re

06/10/2009  Mesazh kryeministrit Berisha

Obama: Mezi pres të vazhdoj të punoj së bashku

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama i ka dërguar një mesazh urimi kryeministrit Sali Berisha për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe formimin e qeverisë së re. Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Xhon L. Uidhers i ka dorëzuar këtë mesazh kreut të qeverisë shqiptare ditën e djeshme. Presidenti Obama në letrën e tij uron Berishën për rikonfirmimin e mandatit tuaj si kryeministër i Shqipërisë. “Pres me padurim të vazhdoj të punoj së bashku me ju për të promovuar lirinë dhe mirëqenien në të gjithë botën”, - shkruan ai. Presidenti amerikan shkruan se ishte një nder i madh për të që në samitin e NATO-s në Strasburg e Kehl mirëpriti Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtarët më të rinj të Aleancës. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në shtrirjen e paqes e stabilitetit në botë. Mbetem i angazhuar të vazhdoj bashkëpunimin me ju dhe të përkrah aspiratat euroatlantike të vendit tuaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë lart marrëdhëniet e ngushta e miqësore me Shqipërinë. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm do t’i konsolidojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve tona”, - shkruan Presidenti Obama në mesazhin drejtuar kryeministrit Berisha.

Urim ministrit Meta

Klinton: Bashkë për sigurinë dhe vlerat demokratike

Ambasadori i amerikan në Tiranë Xhon L. Uidhers i ka dorëzuar zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Ilir Meta një mesazh urimi nga Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton. Në këtë mesazh shefja e diplomacisë amerikane shkruan se pret me kënaqësi të punoj së bashku me ministrin Meta për nxitjen e lirisë dhe begatisë në rajonin tonë dhe në gjithë botën. “Ky ka qenë një vit i rëndësishëm për partneritetin tonë. Ishte nder për Shtetet e Bashkuara që bashkë me aleatët e saj të NATO-s mirëpriti Shqipërinë në Aleancë gjatë këtij viti, një reflektim ky ndaj kontributeve pozitive të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global. Ne ju premtojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për integrimin euroatlantik të Shqipërisë”, - shkruhet në mesazh. Sekretarja amerikane i uron ministrit Meta sukses të plotë në detyrën e re dhe pret me kënaqësi të punojë së bashku me të në mbështetje të objektivave të përbashkët të të dy vendeve për një Europë Juglindore stabël dhe paqësore dhe për të çuar më tej sigurinë dhe vlerat demokratike në Shqipëri dhe në mbarë botën. “Kam besim se duke realizuar këto objektiva partneriteti i ngushtë ndërmjet vendeve tona vetëm se do të thellohet”, - shkruan ajo.

Mesazh urimi

Meta uron Papandreun për fitoren në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit dhe ministër i Punëve të Jashtme, i ka dërguar ditën e djeshme një mesazh urimi kryetarit të PASOK-ut, Georoge Papandreu, me rastin e fitores në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. “Ju uroj për fitoren e jashtëzakonshme të PASOK-ut në zgjedhje. Ishte suksesi i besimit të madh që ju dha populli i Greqisë. Kjo është një mundësi e madhe për ju dhe partinë që ju drejtoni të realizoni reformat e nevojshme për ta bërë Greqinë dhe popullin e saj gjithnjë e më të begatë. Unë mirëpres një bashkëpunim të vazhdueshëm e më të fortë midis partive tona për të arritur objektivat tona të përbashkëta politike”, - shkruan Meta në mesazhin e tij me statusin e kreut të LSI-së. Po ashtu në këtë mesazh urimi Meta shprehet i bindur se dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin reciprok. “Nën drejtimin tuaj Shqipëria dhe Greqia do të forcojnë më tej marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit në përballimin e sfidave të integrimit evropian, si dhe atyre të paqes dhe zhvillimit të rajonit dhe më gjerë”, - shkruan numri një i Lëvizjes Socialiste për Integrim ne mesazhin drejtuar kreut të PASOK, George Papandreu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›