E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA:Rruga Durrës-Kukës, strategjike për Kosovën dhe Rajonin



Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë rrugën Durrës - Kukës, si një vepër infrastrukturore me vlera të veçanta strategjike, si për Kosovën ashtu edhe për rajonin në tërësi. Gjatë samitit në Riga të ministrave të Jashtëm të vendeve të Adriatik-Baltik-Atlantikut, rruga shqiptare ka marrë vlerësimin e SHBA-ve. Zv.asistenti i Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Stjuart Xhons, i dërguar i Sekretares së Shtetit Klinton, tha gjatë këtij samiti se rruga Durrës - Kukës është një vepër me vlera strategjike e cila do të ndihmojë për një të ardhme më të sigurt, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe mbarë rajonin.

Punimet e këtij samiti kanë pasur në axhendë edhe shumë pika të tjera. Mes të tjerave, Shqipëria dhe Kroacia kanë marrë vlerësimet maksimale për anëtarësimin në NATO. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë dhe se anëtarësimi në NATO i këtyre vendeve në samitin pas disa ditësh në Strasburg, është tregues i qartë i përparimit të këtyre vendeve dhe suksesit të reformave si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në atë të konsolidimit të institucioneve demokratike”, - deklaroi Basha. Ministri Basha, në cilësinë e kryetarit të radhës së Kartës së Adriatikut, u shpreh gjatë fjalës së tij se Karta e Partneritetit Adriatik A3 ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara është një histori suksesi që ka kontribuar në mënyrë vendimtare në përshpejtimin e ritmit të reformave dhe në përmirësimin e klimës së mirëbesimit ndërmjet nesh. Ai theksoi rëndësinë e vijimit të parimit të “dyerve të hapura” të Aleancës për vendet që dëshirojnë anëtarësimin në NATO. “Kemi prova të qarta tashmë se politika e dyerve të hapura është e suksesshme. Një sukses që ka zgjeruar zonën e sigurisë, por edhe të demokracisë, lirisë, respektit për të drejtat e njeriut në të gjithë Ballkanin Juglindor”, - tha Basha. Duke folur për një nga sfidat më të mprehta me të cilën po përballet Aleanca - angazhimin e saj në Afganistan, ministri shqiptar konfirmoi edhe një herë vullnetin e qeverisë shqiptare për rritjen e kontributit të vendit tonë, jo vetëm në drejtim të sigurisë, por edhe në mbështetje të komponentit civil të angazhimit ndërkombëtar në Afganistan.

Kosova

Çështja e Kosovës ka qenë një nga pikat e diskutimeve në këtë samit. “Pasi analizuam si shumë pozitive arritjet e Kosovës gjatë këtij viti të parë të pavarësisë, theksuam nevojën për përparim të mëtejshëm, veçanërisht për sa i përket aplikimit uniform të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, ndërprerjes së mbështetjes nga Beogradi të strukturave paralele serbe në Kosovë dhe diskutuam edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë forum”, - tha Basha. Ministrat e huaj vlerësuan rolin stabilizues të KFOR-it në Kosovë dhe konfirmuan se zhvillimet në Kosovë janë faktor kyç në sigurinë e rajonit. Ministrat u shprehën se të gjithë duhet të nxisin pjesëmarrjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare.

Takimet

Gjatë qëndrimit në Riga, ministri Basha pati një takim dypalësh me zv.asistentin e Sekretarit të Shtetit, Stjuart Xhons. Basha informoi diplomatin amerikan për zhvillimet në Shqipëri, duke përfshirë përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Xhons rikonfirmoi angazhimin e administratës amerikane në Ballkanin Perëndimor, si dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë në të gjitha zhvillimet në rajon. “Arritjet e Shqipërisë dhe Kroacisë janë të jashtëzakonshme dhe anëtarësimi i këtyre dy vendeve në NATO është dëshmi e këtyre arritjeve”, - deklaroi Xhons.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›