E Diel, 1 Nëntor 2026

SHENIM/ Kushtetuta e Shqipërisë dhe kushtetuta e Brukselit për Shqipërinë

Share

Nga Eduard Zaloshnja

Edhe shqiptari më i thjeshtë duhet ta ketë marrë vesh tashmë se kushtetuta e Shqipërisë i jep mundësinë shumicës parlamentare për ta zgjedhur Presidentin e Republikës qoftë edhe me 71 vota. Por gjithashtu, edhe shqiptari më i thjeshtë duhet ta ketë marrë vesh tashmë se Brukseli i ka rekomanduar fort shumicës parlamentare shqiptare që zgjedhjen e Presidentit të Republikës ta bëjë duke bashkuar votat me ato të pakicës parlamentare, si një premisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE në vitin e 100-të të shtetit shqiptar.

Duke dëgjuar deklaratat e djeshme të Berishës dhe Metës, të krijohet përshtypja se shumica parlamentare është e vendosur të zgjedhë një kandidat të sajin, qoftë edhe me 71 vota. Pra, ta zgjedhë sipas kushtetutës së Shqipërisë dhe jo sipas kushtetutës që po na rekomandon Brukseli.

Në përgjithësi shumicat parlamentare, kur momentet historike të vendit e kërkojnë, mundohen ta sjellin pakicën në tryezën e bisedimeve, për të fituar konsensusin e saj për çështje të rëndësishme. Tek ne, paradoksalisht po ndodh e kundërta; është pakica parlamentare që luftoi ta sjellë shumicën në tryezën e bisedimeve, për të fituar konsensusin e saj për një çështje të rëndësishme si kjo e zgjedhjes së një presidenti simbol të unitetit të popullit në vitin e100-të të shtetit shqiptar.

Dhe çtha Berisha, kreu i shumicës parlamentare, para se të ulet në tryezën e bisedimeve? Ne i kemi bërë një lëshim të madh Ramës kur, nga një kandidaturë politike, kaluam në një kandidaturë juridiko-diplomatike. Sikur nuk e di dhe bufi që ky kalim nuk ishte një lëshim ndaj Ramës, por thjesht një zbythje ndaj shantazhit të Metës për rrëzimin e qeverisë!

Dhe çtha Berisha pas tryezës së bisedimeve? Ne i ofrojmë Ramës edhe lëshimin që ai të propozojë një kandidat të tijin, i cili ndoshta mund të jetë më i mirë se i yni. Sikur nuk e di dhe bufi që çfarëdo emri të propozojë Rama, Berisha do ta zgjedhë kandidatin e vet me votat e mazhorancës! Pra, do ta zgjedhë sipas kushtetutës së Shqipërisë dhe jo sipas kushtetutës së Brukselit për Shqipërinë.

Me pak fjalë, Berisha nuk po e ndihmon BE-në që ajo të na ndihmojë ne për tu futur në pragun e shtëpisë së saj

http://respublica.al/artikuj/2012/6/5/shenim-kushtetuta-e-shqiperise-dhe-kushtetuta-e-brukselit-per-shqiperine

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›