E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHISH, hetim të huajve për terrorizëm

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Të huajt që shkelin në tokën shqiptare nuk do të jenë më aq të lirë të hyjnë pa u vënë re. Për ta do të ndërtohet një sistem elektronik të dhënash, duke nisur nga kalimi në kufi, ku ata do ti nënshtrohen verifikimit përmes sistemit TIMS, i futur prej kohësh tashmë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të shtetit shqiptar, me vendet fqinje.
Një udhëzim i tre dikastereve, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punës, por dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm do të verifikojë identitetin, por dhe qëllimin e ardhjes së të gjithë të huajve në shtetin shqiptar. Lajmin e bëjnë me dije për gazetën “Ballkan” burime pranë Ministrisë së Brendshme.
Hetimi nga SHISH
Sapo ky udhëzim të hyjë në fuqi, një i huaj është i detyruar të deklarojë jo vetëm gjeneralitetet, por dhe arsyet përse ka zgjedhur Shqipërinë për të punuar apo jetuar. SHISH është i detyruar që në bashkëpunim me strukturat e tjera të përfshira në udhëzim të dërgojë të dhëna për regjistrin e posaçëm. Të dhënat janë të karakterit, ku ka vendosur shtetasi i huaj të qëndrojë, aktivitetin që merret në Shqipëri, personat me të cilët shoqërohet, me çfarë është marrë para se të vinte në vendin tonë etj. Këto të dhëna dhe shumë të tjera do ti shfrytëzojnë institucionet shtetërore për të vendosur më pas se cili do të vazhdojë të qëndrojë në vendin tonë dhe cilit do ti refuzohet leja e qëndrimit.
Regjistri elektronik
Regjistri është një bazë të dhënash elektronike, në të cilën hidhet dhe ruhet aktiviteti i strukturave shtetërore të ngarkuara me ligj, lidhur me trajtimin e të huajve që kërkojnë të hyjnë, qëndrojnë, punojnë, tranzitojnë dhe dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë. Regjistri funksionon si pjesë e sistemit TIMS në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme dhe përmban të dhënat për kontrollin kufitar, vizat, lejet e qëndrimit, lejet e punës, trajtimin e të huajve të parregullt në kufi dhe në territor. Autoritetet kompetente që hedhin të dhëna në regjistrin elektronik kombëtar për të huajt janë në Ministrinë e Punëve të Jashtme: sektori i vizë-pasaportave në Drejtorinë Konsullore, përfaqësitë diplomatike dhe postet konsullore jashtë shtetit. Në Ministrinë e Brendshme këtë funksion e kanë drejtoria për shtetësinë dhe refugjatët, sektori i migracionit, sektori i ripranimeve. Autoritetet shtetërore kompetente për lëshimin e vizave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi kryejnë procedurat e pranimit të kërkesës për pajisje me vize të të huajit, hedhin informacionin mbi aplikimin në modulin E-visa të regjistrit elektronik kombëtar për të huajt.

Rastet kur shtetasit të
huaj do ti refuzohet viza

Në rast se në momentin e regjistrimit të aplikimit, në bazën e të dhënave të njërit nga modulet e regjistrit ekziston informacion me masa kufizuese për kërkuesin e vizës që i ndalojnë hyrjen në Republikën e Shqipërisë, moduli i E-vizës mundëson regjistrimin e aplikimit, por në mënyrë të automatizuar nuk lejon vazhdimin e procedurës së mëtejshme të dërgimit të aplikimit për vlerësim, kështu që vendimi për refuzimin e vizës merret menjëherë nga punonjësi konsullor, veprim i cili pasqyrohet në regjistër. Pas paraqitjes së shtetasit të huaj në pikën e kalimit kufitar dhe pas përfundimit të procedurave për lëshimin e vizës sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 362, datë 1.4.2009 dhe udhëzimit të përbashkët për bashkëpunimin mes strukturave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror “Për procedurat e lëshimit të vizave për të huajt”, në rubrikën përkatëse të modulit E-viza bëhet regjistrimi i informacionit mbi vizën e lëshuar.

Ky lajm është publikuar: 05/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›