E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulen temperaturat, shtohen të sëmurët me viroza

Shqetësimi
Në dyert e pavijonit të Pediatrisë, në QSUT, presin me dhjetra prindër për të vizituar fëmijët e tyre

Viruset, që qarkullojnë në ajër, në këto ditë të ftohta dimri janë shndërruar në patogjenë, duke dërguar në dyert e Pediatrisë shumë fëmijë. Virozat e stinës janë shtuar së tepërmi me uljen e menjëhershme të temperaturave në vend. Këtë e tregon edhe gjendja e krijuar pas dyerve të repartit të Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në kryeqytet. Shumë prindër me fëmijët e tyre në duar presin me ankth përgjigjen e mjekut pas vizitës së të miturve. Sipas mjekëve pediatër, fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj virozave, sidomos gjatë sezonit dimëror, falë temperaturave të ulëta dhe ajrit të ftohtë.
Shenjat e këtyre virozave nuk ndryshojnë nga ato të kaluara më parë, por rëndësia që u kushtohet atyre nuk duhet neglizhuar asnjëherë nga ana e prindërve këshillojnë mjekët pediatër. Ata shpjegojnë më tej se shenjat e këtyre virozave janë temperaturë e lartë dhe e menjëhershme e shoqëruar me ethe të forta, dhimbje koke që përhapen në shpinë dhe në gjymtyrë, kollë e thatë e cila më pas shoqërohet nga shumë sekrecione. Të miturit, në shumë raste ankohen për djegie dhe dhimbje të gjoksit, por në mënyrë të veçantë të fytit. Por, në rastet e të prekurve nga këto viruse patogjene për organizmin nuk mungojnë as të vjellat dhe diarretë, veçanërisht te të miturit. Mjekët pediatër pohojnë se komplikacioni më i rëndë që mund të pasojë fillimin e një viroze dhe rëndimin e kësaj diagnoze është pneumonia. Për raste të tilla të prekurit nga virozat duhet të përdorin një dietë të lehtë, por të ngrohtë dhe të lëngshme në mënyrë që të ruajnë rezervat në organizëm. Ndërsa, për sa i përket ditëve kur pacienti ka temperature, mjekët rekomandojnë pushim të detyruar në shtrat në ambiente të ngrohta, jo më shumë se 22 gradë, por jo më pak se 18 gradë celcius. Ndërsa, për rastet kur temperatura ulet i sëmuri mund të kryejë ushtrime të lehta fizike brenda ambientit të shtëpisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›