E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPERIA, ÇIPI I PALAÇOVE

Përse nuk ecin që nuk ecin
punërat e Shqipërisë? Duket se
pikërisht për të njëjtin shkak
që i ka penguar këtu e një shekull
më parë dhe që është zbuluar nga Faik
Konica. Shkaku pra është se shqiptarët
vazhdojnë të jenë të ndarë në dy kampe
lidhur me mënyrën si ata e kuptojnë
Evropën. Njëra gjysmë e kupton si "Avropa",
ndërsa tjetra si "Evropi". Ndonëse
liderët e të dy kampeve kanë në gojë sloganin
"drejt Evropës", në mendje kanë
tjetër gjë, ose Avropën ose Evropin. Prej
kësaj mendësie të ndryshme lind edhe
konflikti i tyre me njëri-tjetrin, i Avropës
me Evropin për integrimin në "Evropë"
dhe kohë pas kohe edhe me diplomatët
e vetë Evropës. Por ne nuk kemi aftësinë
ta paraqesim gjithë këtë tragjikomedi të
pafund palaçosh, aq rraskapitëse dhe
rrënuese për vendin, me atë elokuencë
që Konica që në vitin 1923 e ka pikturuar
në një vjershë satirike të titulluar "Çipi i
Palaçove". Aktualiteti i saj, që na bën të
kuptojmë se sa pak kemi ndryshuar,
detyron ta riprodhojmë të plotë:
Lot "Avropa", me "Evropin"
Njëra-tjetrës i hedh topin
Edhe Evropa bën sehir.
Një të shtën‘Avropa topit:
Nëpër dor‘i shkoi "Evropit".
Dhe Evropa bën sehir.
Pyet "Avropa": Ǒu bë topi?
-E ke ti! - i thot‘Evropi.
Dhe Evropa bën sehir.
Hop! "Avropa" me "Evropin"
Zihen, goditen për topin.
Dhe Evropa bën sehir.
Bam "Avropa", bam "Evropi"!
Ulërijnë: Ku ishte topi?
Evropa s‘bën sehir -
Po mbledh dhe në xhep vë topin
Dhe pastaj na rrëmben shkopin,
Dhe as qesh, as do sehir!
Ǒështë Evropa? Kur Konica e bënte
këtë pyetje nëpër Shqipëri avropistët i
përgjigjeshin se është "tërë ai vend ku
venë kapella, ku ka makina shumë, ku
burrat s‘kanë trimërinë tonë dhe ku gratë
s‘janë të ndershme...(ku)... pinë verëra të
gënjeshtra të Francës, që s‘kanë aspak erë
rrushi. Nëm verë të Negozhdit që ndihet
një orë lart! Nëm raki! Nëm bozë! Atje ku
s‘i gjen këto, atje është Avropë". Ndërkaq
nga pala tjetër, ajo e Evropit, i thoshin se
Evropa "është tërë ai vend ku urdhëron
Papa dhe kisha latine me protestantët
dhe mesonët dhe ku shkon i lajthitur".
Gjëja e vetme që ka ndryshuar që nga ajo
kohë është se ndonëse Avropa dhe Evropi
vazhdojnë të kenë mendim të ndryshëm
madje të papajtueshëm për Evropën, nuk
e përbuzin, por përkundrazi Avropa thotë
që ajo është alternativa e vërtetë evropiane
dhe Evropi po ashtu, këmbëngul që
vizioni i saj është vërtet evropian.
Domethënë të dyja flasin për integrimin
në Evropë, por njëra palë ka ndërmend
Avropin dhe tjetra Evropin. Por ç‘është në
të vërtetë Evropa? Sipas evropianëve
Evropë është ajo bashkësi shtetesh ku liritë
dhe të drejtat e njerëzve (e jetë, e
punës, e pronës, e fjalës, e organizmit, e
tubimit, e lëvizjes) mbrohen jo vetëm nga
ligji i shkruar, por edhe nga ligji i zbatuar,
ku pushteti ndërrohet me zgjedhje të lira
e të ndershme, ku Kryeministri ose Presidenti
nuk bëhen dot zotër të shtetit, por
vetëm qeverisin (për aq sa kanë mandatin
i cili nuk zgjat pafundësisht), ku drejtësia
është e pavarur nga politika dhe prandaj
korrupsioni luftohet dhe jo rrallë,
liderët e politikës përfundojnë në bankën
e të akuzuarve. Edhe Avropa dhe Evropi i
thonë këto gjëra, por sa për të larë gojën.
Sepse kur u vjen radha të hipin në pushtet
nuk e vrasin shumë mendjen as për të
drejtat dhe liritë e njerëzve, largojnë
njerëzit nga puna si ua u do qejfi liderëve
dhe militantëve të tyre, i venë strekëmbësha
fjalës së lirë, nuk e vrasin shumë që
t‘u kthejnë pronat njerëzve, tolerojnë
dhunimin e pronës së qytetarëve nga banditë
dhe mafiozë lokalë që i ndihmojnë të
mbledhin vota për të ardhur në pushtet.
Po të vijë në pushtet Avropa është i pari i
saj bëhet sundimtar i vendit. Nëse ai
bëhet President është Presidenti që vë
nën hyqmë shtetin, Kryeministrin, Qeverinë
dhe Parlamentin. Nëse i pari i Avropës
nuk bëhet Kryeministër, por President
është Kryeministri që bëhet sundimtari i
të gjithëve. Kjo është filozofia "evropiane"
e Avropit. Edhe Evropi nuk është
larg kësaj. Kur ajo vjen në pushtet i pari i
saj është edhe i pari i shtetit pavarësisht
nga posti që merr apo nuk merr. Kohë pas
kohe qëllon që Avropa dhe Evropi të
bëjnë bashkërisht reforma (i quajnë
konsensuale) që të venë drejtësinë nën
hyqmin e qeverisë, që ministrat të dalin
të palagur nga akuzat për korrupsion, që
deputetët dhe partitë parlamentare të
mos i hapin shumë probleme qeverisë.
Të gjitha këto s‘kanë asgjë të përbashkët
me Evropën dhe frymën e saj të lirisë,
por çuditërisht, edhe Avropa edhe
Evropi (madje edhe ca diplomatë evropianë
të evropianizuar ose evropizuar në
Tiranë), i shpallin evropiane!
* * *
Por kryesore është të kuptojmë se çfarë
është sot "topi i sherrit" të pafund mes
Avropës dhe Evropit, sherr që rrezikon të
na fusë ose në Avropë ose në Evropi, por
kurrë në Evropë. Ai është i ndryshëm ashtu
sikundër i ndryshëm është topi i çdo
kampionati evropian futbolli. Një herë
"topi i sherrit" është Presidenti (edhe kur
nuk e ka mbiemrin Topi), një herë tje
është pavarësia e gjyqësorit apo reformat
e ndryshme kur, sipas radhës në pushtet,
Avropa dhe Evropi rreken t‘ia fusin topin
për shalësh njëra-tjetrës. Ja tani së fundi
po përleshen për kartat e identitetit. Në
fakt, karta është në thelb një "çip" me të
gjithë të dhënat biometrike. Ka 12 vjet që
politika shqiptare sherroset për këtë "çip"
dhe nuk e ka zgjidhur dot problemin. Evropi
shpenzoi 8 vjet dhe nuk qullosi gjë. Disa
kujtuan se Avropa do të kish nxjerrë
mësime nga keqqeverisja e Evropit aq më
tepër, se erdhi në pushtet duke kritikuar
ashpër Evropin që nuk i kish bërë çipet
(kartat). Madje premtoi se do i bënte që
vitin e parë të qeverisjes. Por kaluan 4 vjet
të tjera, zgjedhjet po afrojnë, dhe shohim
që as Avropa nuk e ka mbajtur premtimin.
Pse? Ka dyshime se Avropa trembet t‘u
japë "çipin" shqiptarëve, sepse ai do t‘u
mundësonte të shkonin në Evropë kurse
Avropa dëshiron që shqiptarët të shkojnë
vetëm në Avropë. Por pavarësisht këtyre
spekulimeve një fakt është i pakundërshtueshëm.
Përsëri, shumica e zgjedhësve,
ata që kanë pasaporta udhëtimi, do të
shkojnë të votojnë pa çipe, ndërkohë që
edhe për ata që nuk kanë pasaporta
udhëtimi, nuk e kanë të sigurt se do ta
marrin çipin. Dhe tamam si në kohë të
Konicës: bam Avropa, bam Evropi, ulërijnë
kush e ka topin (dmth. fajin)? Evropi i
kërkon Avropit që t‘i japë kartat (çipet)
falas, ndërsa Avropi i kundërpërgjigjet
Evropit: vetë re dakord kur bëmë reformën
zgjedhore që çipet të jenë me pagesë.
Dhe përsëri, tamam si në kohë të Konicës,
ndërsa Avropa dhe Evropi zihen për
"topin", Evropa duket se e ka marrë atë, e
ka futur në xhep dhe ju thotë: ose zgjidheni
punën e çipit dhe të zgjedhjeve ose shqiptarët
mund të shkojnë ose në Avropë
ose në Evropi, por jo në Evropë. Dhe është
e qartë se po nuk e zgjidhëm punën e
çipit Avropa dhe Evropi, Shqipëria do të
mbetet si në kohën e Konicës çipi (skaji) i
palaçove, gazi dhe njëherazi halli i
Evropës dhe i vetë shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›