SKANDAL/ Gjenerali: Helikopteri luftarak përdoret nga biznesmenë e femra për fundjava. Ja si u terrorizua familja e Topit
Skandalet e ushtrisë së Arben Imamit nuk kanë të sosur. Dhe ta mendosh që kjo ushtri është kthyer në pronën private të tij.
Gjenerali Dhori Spirollari, i shkarkuar pak ditë më parë nga Forcat e Armatosura, sjell një rrëfim tronditës për gazetën Dita, ku thotë se helikopteri ushtarak përdoret nga femra e biznesmenë për fundjava qejfi. Ai tregon edhe se si është terrorizuar familja e ish- presidentit Topi nga helikopteri ushtarak AB 205.
Fillimisht ai sqaron incidentin mbi shtëpinë e Bamir Topit.
Ditën e diel, më 10 mars, komandanti i Bazës Ajrore të Farkës, kolonel Sokol Çunaj, ka njoftuar në komandën e FA që do të niset një helikopter në mbështetje të stërvitjes së Forcave TGokësore. Më vënë në dijeni dhe jap ok. Por në fakt, siç mësuam më vonë, atë ditë nuk ka pasur stërvitje nga Forcat Tokësore dhe helikopteri ishte ngritur për fundjavë dhe qëllime të tjera. Ngritja është bërë në kundërshtim flagrant me çdo rregull. Siç doli nga analiza, Komandanti i Farkës, kolonel Sokol Çunaj, në kundërshtim flagrant me rregulloren, duke qenë vetë në rolin e pilotit, ka urdhëruar që të mos shënohen në regjistër emrat e personave që do të udhëtonin me helikopterin AB 205, thotë Spirollari.
I pyetur se kush ka qenë në helikopter atë ditë, Spirollari thotë: Ka qenë komandanti i bazës, kolonel Sokol Çunaj, kapiten Olgert Hysa, pilot, rreshter Besnik Hysa, teknik bordi dhe Roland Bushi, shoqërues i ministrit Arben Imami. Nga analizat që bëmë, ka qenë edhe një biznesmen dhe një femër, dhe dy civilë të tjerë, që duhet të kenë hipur në ndalesë jashtë repartit të Farkës. Por ata që shkelën ligjin, nuk kanë pranuar të bëjnë publik emrat e personave të plotë që kanë shëtitur atë ditë me helikopter.
Spirollari thotë se ka njoftuar për skandalin Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, por ai ka heshtur.
Spirollari thotë se atë ditë me helikopter janë bërë dy ndalesa. Mësohet se ata kanë qëndruar me helikopter për drekë në Lezhë dhe më pas kanë bërë fluturimin provokues mbi shtëpinë e Bamir Topit.
Ne kemi verifikuar teknikisht se mbi banesën e tij janë bërë xhiro me helikopter për 15 minuta, duke u afruar në një distancë deri në 20 metra. Ka qenë terror për familjen, por edhe një provokim. E theksoj këtë se piloti e di shumë mirë se ka një urdhër kategorik për objekte të rëndësisë së veçantë, ku përfshihen banesat e ish- presidentëve.
Spirollari thotë se Topi, i shqetësuar, u ka dërguar mesazh drejtuesve të ushtrisë për të kërkuar informacion. Por nuk ka marrë asnjë përgjigje./ep