Sa mbërrita në spital, kushëriri ndërroi jetë
Një kushëri i familjes Mustafa ka përjetuar tmerr që nga momenti që ka mësuar për aksidentin e rëndë. Dy persona kanë gjetur vdekjen nga kjo familje, ndërsa një fëmijë i tyre është plagosur rëndë. Kushëriri i tyre, Admir Nela, ka qenë në banesën e tij në Tiranë, kur ka mësuar për ngjarjen e ndodhur në Fushë-Arës. Sapo ka mësuar që një prej të plagosurve ishte i afërmi i tij, ai ka ardhur të interesohet në Spitalin Ushtarak, ku është vënë në dijeni se ishte ndarë nga jeta për shkak të plagëve të rënda. Edhe persona të tjerë të familjes Mustafa janë plagosur, por ishte shumë e vështirë të kuptohej se ku ndodheshin.
Kë keni në spital?
Kam djalin e xhaxhait të mamit, më thanë që ka vdekur.
Ku ishit kur u vutë në dijeni?
Isha në shtëpinë time. Banoj në Tiranë. E mora vesh nga televizori dhe menjëherë erdha këtu që të interesohem. Pastaj u lidha në telefon me familjen Mustafa dhe më thanë të interesohesha, derisa ata të mbërrijnë në Tiranë.
Si quhet i afërmi juaj?
Adem Mustafa.
Si mendoni se cili ka qenë shkaku i aksidentit?
Mesa mora vesh ka qenë për shkak të motit të keq. Ka qenë duke rënë breshër në momentin që ka ndodhur ngjarja.
#