E Diel, 1 Nëntor 2026

Sabit Brokaj: Një telefonatë nga Athina rrëzoi rezolutën çame në 2004-ën

sabitIsh- deputeti socialist, Sabit Brokaj, tregon situatën në të cilën është  diskutuar dhe votuar  në vitin 2004 për rezolutën çame.

Rezoluta ka qenë e përpiluar nga Partia e Ballit  dhe është miratuar në konferencën me kryetarë të  grupeve parlamentare. Në momentin që do të hidhej rezoluta për votim në seancë, seanca u ndërpre dhe u zhvillua  një mbledhje e grupit parlamentar socialist. Aty u gjykua të mos votohej.

Brokaj pohon se deri më atë kohë  të gjitha grupet parlamentare ishin pro miratimit të rezolutës.

Të gjitha grupet paralamentare ishin pro, prandaj edhe rezoluta arriti deri në seancën plenare sipas procedurës  parlamentare. Para se të shtrohej në seancë për diskutim, siç e thashë, u kërkua një pushim në mbledhjen e grupit dhe u tha se kjo rezolutë nuk do të trajtohej tani. Mua ma kërkuan dhe personalisht që të mos ngrihesha dhe të mos diskutoja pro rezolutës, ngaqë e dinin se unë  kisha një farë pavarësie në mendim dhe qëndrim”, tregon Brokaj.

Jo PS, por individët e saj. Ata gjykuan se meqenëse unë kisha një ndjeshmëri ndaj Luftës Nacionalçlirimtare, do të kisha  dhe  kompleksin pse rezoluta ishte hartuar dhe paraqitur nga Balli Kombëtar apo partizanët. Çështja ishte kardinale dhe me interes kombëtar, shpjegon ai për gazetën Panorama.

Ai tregon se pas pushimit u kërkua të shtyhej votimi dhe të dy grupet parlamentare, PD dhe PS, hezitonin të votonin.

E dija mendimin personal të Bamirit, por mesa dukej edhe atij i kishte rënë ndonjë telefonatë, siç i kishte rënë edhe PS-së . Është e sigurt që është punë  telefoni për PS-në. Edhe për PD-në  mendoj se ka qenë kështu, dhe këtë ma forcon fakti që për tetë  vjet PD nuk e risolli rezolutën  çame në Kuvend, shton Brokaj, teksa thekson se në atë seancë ka munguar edhe Nano, edhe Berisha.

Sipas tij, ky diktim vinte nga Athina.

Pa dyshim nga Athina, sepse është i vetmi vend që preket nga kjo çështje dhe Athina zyrtare e ka diktuar gjithmonë politikën shqiptare, sidomos për çështjen çame. Nuk  kanë pse politikanët shqiptarë të mos e pranojnë që në një situatë  të dobët që ka qenë  politika shqiptare dhe e kompromentuar, nëse duam, Athina  ia ka arritur që këtë çështje ta vendosë në hije dhe të mos e nxjerrë  asnjëherë  në dritën e diellit.

Brokaj është  i mendimit se rezoluta duhet të miratohet, por duket se politika po nxjerr sebepe për mos ta miratuar./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›