Sagna ka frikë për Fabregasin

Bacary Sagna ka pranuar se është “turp” të jesh futbollist i Arsenalit në këtë periudhë dhe se nuk do të fajësonte Cesc Fabregasin në rast të largimit nga klubi, gjatë verës.
Arsenali është pothuajse jashtë garës për titull në Premierligë, ndërsa shkon drejt sezonit të gjashtë, pa fituar asnjë titull. Humbja nga Biriminghami në finale të Carling Cup u përcoll me një seri negative, gjatë së cilës Arsenali arriti vetëm një fitore në shtatë ndeshje të Premierligës, ndërsa u eliminua edhe në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve.
Menaxheri Arsene Wenger ka thënë se Fabregas ka vështirësi të përballet me barrën e përgjegjësisë si kapiten. Tani Sagna ka parashikuar se ylli spanjoll mund të largohet nga Emirates Stadium.
“Do të kuptoja nëse Cesc largohet. Ai ka qenë në Arsenal për një kohë të gjatë dhe dëshiron të fitojë tituj. Si profesionist, ne duam të jemi të suksesshëm, të fitojmë kupa dhe tituj, por ne nuk kemi fituar asgjë për gjashtë vjet”, tha Sagna për News of the World.
“Është e turpshme të jesh pjesë e një ekipi që nuk ka fituar asgjë për gjashtë vjet. Ne dështuam. Nuk është faj i trajnerit, është i futbollistëve. Disa njerëz thonë se Arsene Wenger nuk është duke bërë punë të mirë, por ai nuk luan. Ne e dimë se nuk jemi ekip i keq. Kemi kualitet të përfundojmë në krye, por kemi humbur. Ky është faji i futbollistëve, ne kemi dështuar”, përfundoi Sagna.