Torino, kapet në klasë me 200 gram hashash, studenti shqiptar
28/05/2005 Policia italiane ka arrestuar dy ditë më parë një student shqiptar në Institutin Profesional të Torinos. Shqiptari 18-vjeçar me inicialet E.D., është kapur me drogë në klasën e mësimit. Lajmi është publikuar dje nga mediat italiane, të cilat citonin burime të policisë vendase, që pohonin se i riu kishte qenë në survejim prej disa kohësh dhe dyshohej si shpërndarës droge në universtitet. Sipas mediave vendase, ka qenë Guardia di Finanza që ka gjetur drogë në çantën e shkollës së 18-vjeçarit E.D. Nga verifikimet që ka kryer policia italiane, ka rezultuar se studenti shqiptar jetonte prej vitesh në Itali. Pas kontrollit të çantës së librave, policia ka gjetur drogën të fshehur në një mbajtëse telefonash celularë, aty janë gjetur më shumë se 200 gramë marijuanë. Sipas policisë italiane, kanë qenë dy qentë pastorë të Guardia di Financës, që kanë nuhatur dhe zbuluar sasinë e lëndës narkotike. I riu shqiptar ka pohuar para hetuesve italianë se droga nuk ishte e tij, por se ia kishin dhënë për ta ruajtur disa njerëz që i njihte vetëm nga ana fizike. Por, nga hetimet paraprake është konkluduar se dëshmia e studentit shqiptar ishte e rreme dhe ai u arrestua. Ndërkaq, policia ka sekuestruar edhe dy telefona celularë, që studenti i përdorte për të kontaktuar klientët e tij, fakt që ka dalë pas verifikimit të bisedave telefonike që kishte kryer.