Salihi: “Jam gati për t’i dhënë gaz”
Hamdi Salihi, blerja e re e Rapidit të Vjenës, “digjet” nga ethet e debutimit të parë të tij me fanellën e rekordmeneve austriakë. “Unë jam gati për ndeshjen kundër Salzburgut”, - tha sulmuesi 25-vjeçar shkodran për gazetën “Die Presse”, që shton se përvoja e tij pozitive e mëparshme me SV Ried, e ka ndihmuar atë të përshtatet shumë shpejt me futbollin austriak. Golashënuesi i njohur shton: “Kur dikush shkon në një ekip tjetër, atëherë është normale që të ketë pak presion, pasi është gjithçka e re për të. Por këtu (te Rapidi) për mua kaloi lehtë gjithçka. Të gjithë ishin miqësorë me mua, këtu jam si në familje. Ishte shumë e lehtë të integrohesha”. Salihi thekson: “Unë duhet të punoj fuqishëm dhe qysh nga dita e parë t’i jap gaz, pasi nuk është e lehtë të jesh pjesë e këtij ekipi”. Trajneri i Rapidit, Peter Pacult, që e ka ndjekur me interes të madh për Salihin, edhe në dhjetor të vitit 2006, kur ai ishte pjesë e Tiranës, tha: “Ai (Salihi) është zhvilluar shumë qysh atëherë”. Gjithsesi, askush nuk pret çudira në ndeshjen e parë të Salihit. “Jelaviç bëri gjatë verës, falë Zotit, përpara të mëdha, tani ne duhet të shohim se dhe nëse Salihi do të integrohet me lojën tonë po aq shpejt. Salihi është dhe një goditës i shkëlqyer me kokë”, - tha Pakult. Të mërkurën, Salihi ishte pjesë golit të Bogdanit në barazimin 1-1 të Shqipërisë me Danimarkën, gol që erdhi pas orvatjeve të shkodranit brenda zonës së vogël daneze.
13 Shtator 2009