Salla: Dëgjesa me fermerët, reflektojmë kërkesat e tyre

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se gjatë vitit të kaluar mbi 65 mijë fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes për bujqësinë.
Salla e cilësoi këtë një shifër të lartë që, sipas tij, tregon përfshirjen e gjerë të fermerëve nga çdo rajon i Shqipërisë në programet mbështetëse.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga deputeti i opozitës dhe anëtar i Komisionit parlamentar të Bujqësisë, Ramadan Lika, mbi financimin e drejtpërdrejtë dhe transparent të fermerëve, ministri informoi se ka zhvilluar takime me fermerët në 61 bashkitë e vendit, duke marrë shqetësimet e tyre dhe duke i reflektuar në skemën e re kombëtare të mbështetjes 2026.
“Unë do të jem sërish në terren me fermerët për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’i reflektuar ato në paketën e mbështetjes me fondet e buxhetit të shtetit. I ftoj edhe deputetët e komisioneve parlamentare që të na bashkohen në vizitat në terren”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se prania e institucioneve në terren dhe dialogu i drejtpërdrejtë me fermerët mbeten thelbësore për adresimin e nevojave të sektorit dhe përmirësimin e politikave mbështetëse në bujqësi.
/e.xh/a.f/