E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salloni UEGEN

Breaking Views

“Mrekullia e fajit”
Roman nga Daniel Still

I katërti roman i botuar së fundi nga shtëpia botuese “Uegen” prej autores Daniel Still. “Mrekullia e fajit” gati të çon në titujt e veprave mesjetare, kur duhej t’i besonin fatthënës, jetës së dyzuar, plagëve që shëroheshin me një shikim të thjeshtë dhe njeriu befas ngrihet në këmbë. Jo, nuk kemi të bëjmë me diçka të tillë. Ngjarjet janë të thjeshta, të zakonshme, të ditës dhe befas marrin pamjen e groteskut, bëhen të fuqishme, të mëdha, marrin formën e njeriut dhe fitojnë ndërgjegje, nuk humbasin nëpër sfidat ku mund të treten e të harrohen. Thelbi është gabimi, faji njerëzor, i cili mund të lindë një fëmijë, mund të shërojë një të sëmurë psikik, mund të ndajë një familje, mund të krijojë vlera të fuqishme e të paharrueshme, mund edhe të të degdisë, të të harrojë e përsëri të mbetet vlerë. Sepse, tek e fundit, mrekullia e jetës është veç harresa!
Daniel Still di të depërtojë në psikologjinë e personazheve të saj, di të ndërtojë atmosferën e bukur të analizës dhe të një realiteti nga më të veçantët, edhe kur ngjarja është gati e lemerishme. Daniel Still di që të dalë nga gjendja me realizëm. Aty vepron njeriu i saj, një njeri i bukur (grua a burrë qoftë), aty nuk luhet një “reality show”, aty gdhenden personalitete të panjohura dhe mbeten për jetë. Kushdo e beson këtë të vërtetë dhe gjithnjë gjenden rrugëzgjidhje të besueshme, njerëzore e jo sikur të vijnë nga qielli, as edhe nga qielli i Hollivudit!
Marrëdhëniet nënë-fëmijë janë një përvojë e hatashme e shkrimtares, e cila ka lindur e rritur nëntë fëmijë dhe që thuajse të gjithë librat ua dedikon atyre, asaj mrekullie të jashtëzakonshme njerëzore që ka fituar nga jeta.
Daniel Still është shkrimtare me përvojë dhe me një sens të hollë. Ajo të habit me kthesat aq të thjeshta e të kuptueshme për të gjithë në jetë. Asaj i bën përshtypje gjithçka dhe e rrëmben përmbytja që shkaktojnë ndjenjat dhe emocionet, pa e lënë kurrë personazhin e saj “ta marrë lumi” i tronditjes apo i përkëdhelisë. Ajo përulet thellë përpara realitetit ku jeton, i jep elegancë të veçantë jetës dhe merr nga jeta një aromë dehëse, nektarin e psesë të madhe për të cilën jeton dhe krijon.
Dhe ti sa mbyll faqen e fundit të librit, thua: Po, ky është një faj i mrekullueshëm. Dhe merr frymë thellë nga tronditja dhe shpirtin e mbushur plot. Përbrenda teje fryn një fllad i freskët jete...

“Sekretet”
Roman nga Daniel Still

Vargut të katër librave të rinj nga Danielle Steel i shtohet edhe romani “Sekretet”, botuar kohët e fundit nga shtëpia botuese “Uegen”. është një libër me temë interesante. Janë katër aktorë që sillen në hapësirën e Hollivudit dhe një producent i madh, shik, tronditës, i qetë dhe shpërthyes, i hollë dhe i pasur, shkatërrues dhe ndërtues krejt i veçantë, që i thërret të katër aktorët dhe me ta kërkon (ashtu si vepron realisht) një nga spektaklet më të mëdhenj të Hollivudit, një sipërmarrje e hatashme e me shumë seri që s’kanë të ndalur e që të shoqërojnë hap pas hapi. Përkthimi i Taulant Hatias është i kohës dhe interesant, me një njohje të mrekullueshme të shqipes, që e shoqëron vazhdimisht atë në librat e përkthyer prej tij.
“Sekretet” është roman që të mban mbërthyer, të trondit me punën dhe elegancën, krijimin dhe veprimtarinë aktoriale, me fitoren ngadhënjyese ndaj të vërtetave të jetës, madje edhe mbi sekretet e tyre, ashtu si dhe vuajtja e madhe ndaj krimit që të hidhet si baltë e jashtëzakonshme mbi personalitetin tënd e që, për ironi të fatit, fiton autoritet dhe vlerë. Aq e tmerrshme bëhet kjo gjë saqë edhe vetë lexuesi nuk ndihet i qetë, mezi duron duke ecur nëpër faqet e librit derisa t’u vijë fundi halleve dhe brengave e të triumfojë e vërteta. Dikush ka një fëmijë të sëmurë që përpëlitet në kthetrat e vdekjes e që, në rol e në jetë (në rolin e vërtetë që luan) i duhet të jetë i përsosur, i zhveshur nga hallet dhe brengat. Një tjetër akuzohet për vrasje dhe drama këtu angazhon një fuqi titanike e bëhet një realitet i përbindshëm. Ndërsa në lojën aktoriale i duhet të jetë “njeriu i rolit”. Maskë që nuk durohet, një mjerim që nuk ngjërohet gjëkundi. Aktorja tjetër ndahet me burrin që e mban si idhull, kurse aktorja më e re lë pas komfortin miliarder (por të shtirë) të familjes së saj aristokratike. E përpos këtyre bosi që i drejton është kthyer me këmbë në tokë, pasi ka humbur gruan dhe tre fëmijët e tij në një aksident ajror. Tmerret sikur i ke porositur me dorë, sikur vijnë enkas për të të treguar se jeta nuk është aq e thjeshtë dhe një rrafsh i pambarimtë, një hapësirë e pafund lumturie...
Besojini Daniel Still dhe duke e lexuar mësoni të vërtetat e jetës dhe pijeni me fund lëngun e saj dehës!

“Ujëvara e vetmisë”
Roman nga Daniel Still

Janë mbi dhjetë romane që shtëpia botuese “Uegen” ka botuar prej autores së madhe amerikane Daniell Still, një prej shkrimtareve aktuale më të lexuar sot në botë. Temat sociale të parapëlqyera prej saj janë mjaft interesante, të domosdoshme për t’u njohur e për t’u përcjellë nga njeriu. Përkthimi i Kozeta çuadarit është intrigues dhe që krijon atmosferë, duke qëlluar në shenjë.
Në këtë roman të fundit Daniel Still sjell si personazhe një aktore me famë botërore, e cila bie viktimë e një shpërthimi tragjik në Paris – dhe fillon një “udhëtim të guximshëm për të mbijetuar, duke bërë përpjekje të mëdha për kthimin e kujtesës, për rinjohjen e vetvetes, të fëmijëve dhe të dashurive, të cilat përbëjnë subjektin e librit më të ri dhe të mrekullueshëm të autores. Karol Barbër ka ardhur në Parisin me shi e me rrugë pa fund, për të shkruar librin e saj e për të rigjetur vetveten, pas një jete të tërë, që ka kaluar në qendër të vëmendjes së të gjithëve. Një legjendë e filmit në ekran, Karoli është shumë tërheqëse dhe e hirshme, vazhdimisht i është përkushtuar familjes dhe çështjeve të ndryshme botërore. Por në atë natë të ftohtë nëntori, ndërkohë që taksia e saj nxiton për të hyrë në tunelin pranë Luvrit, një shpërthim terrorist trondit qindra jetë njerëzish dhe e lë Karolin vetëm, pa vetëdije e të pa identifikuar, në një dhomë spitali në Paris.
Në hotel “Ritz” të gjithë pyesin se ku shkoi mysafirja e tyre e famshme. Nga Kalifornia në Londër, miqtë dhe familja e Karolit fillojnë ta kërkojnë. Pastaj vjen një çast tronditës, ndërkohë që ajo ndodhet larg shtëpisë dhe po lufton për të mbijetuar. Por paparacët gjurmojnë si bletët. Një i huaj misterioz, i famshëm në sferën e tij, e viziton Karolin në spital fshehurazi, për të parë gruan që dikur kishte dashur e që s’e kishte harruar. Dy fëmijët e saj i qëndrojnë pranë shtratit, duke pritur e duke u lutur – derisa ndodh... Ky tregim për mbijetesën e dinjitetin, i surprizave të mëdha dhe i mrekullive të vogla, krijon një portret të paharrueshëm të një figure publike, shpresat, frikat dhe zemërthyerjet, të cilat janë kaq reale, sikur të qenë tonat...
Lexojeni këtë roman tërheqës me një frymë dhe do të ndiheni vërtet të relaksuar.

“Rebeli”
Roman nga Daniel Still

Në libraritë e kryeqytetit dhe në të gjithë vendin do të gjeni romanin e fundit të shkrimtares aq të njohur amerikane Daniell Still, i botuar në shqip nga “Uegen”, nën përkthimin e Agim Doksanit. Një libër i përmasave të fuqishme dhe ndër veprat më të mira të kësaj shkrimtareje, e cila ka botuar mbi 700 milionë kopje të librave të saj, e përkthyer në mjaft gjuhë të botës. Në Shqipëri dhe në trojet e hapësirat shqiptare autorja ka gjetur lexues të shumtë. Libri i saj ka si bosht raportin e njeriut me vetveten, personalitetin e tij, forcën dhe ekuilibrin që fiton në jetë, me gjithë kundërshtitë që e rrethojnë. Maksina është heroina kryesore e romanit, e cila u është përkushtuar 15-vjeçarëve dhe vetëvrasjeve të tyre. Bota e saj është dinamike, po aq sa edhe ekspresiviteti i njohur hollë i adoleshentëve, problemet e tyre të mëdha, njohjet dhe rivalitetet, dashuritë e dështuara dhe mospërballimi i vështirësive, qofshin këto edhe fare të dobëta e të papërfillshme. Ky duket një roman sa për njëmijë studime të holla për psikologjinë e adoleshentëve. Daniel Still shquhet për këtë njohje, ashtu si dhe në të gjitha depërtimet e kujdesshme që bën edhe në problemet e vështira me të cilat njeriu ndeshet në jetë.
Maksina si mjeke është e rrallë, por edhe si nënë është e tillë. Ajo njihet me një mjek tjetër (çarls Uest) dhe ky do të jetë rivali serioz në çdo hap me hijen e ish-burrit të saj, rebelit të famshëm miliarder, i cili është kredhur kokë e këmbë në botën e qejfit e të luksit, veçse arrin një pikë që ai tronditet thellë. është ky tërmet real dhe i fuqishëm që ndodh në Marok, ku ai (rebeli) po ndërtonte shtëpinë e dhjetë, që e zgjon dramatikisht që të kthehet vetë në jetën reale, të ecë me këmbë në tokë, të tronditet më tepër se nga tërmeti dhe të gjejë vetveten, të pajtohet me të vërtetat e personalitetit të tij...

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›