E Diel, 1 Nëntor 2026

Salzman, politikanët të përgjegjshëm për shpenzimet e tyre

13/04/2005  BE jep 6 milionë euro për modernizimin e kontrollit të brendshëm

BE-ja i ka dhënë nëpërmjet Projektit CARDS 6 milionë euro Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm, duke i ofruar dhe mundësinë e binjakëzimit me strukturat homologe të Britanisë dhe Holandës. Eksperiencat e suksesshme me vendet e tjera të Evropës Juglindore, të cilat i kanë lidhur me kohë këto binjakëzime, janë menduar të aplikohen dhe me Tiranën zyrtare, që së fundi ka ngritur Drejtorinë e Kontrollit të Brendshëm. BE-ja ka përdorur instrumentin e binjakëzimit prej më shumë se 7 vjetësh në vendet e tjera fqinje dhe ky është binjakëzimi i parë për strukturën e re të kontrollit. Fondi prej 6 milionë eurosh është siguruar nga Projekti CARDS 2002, nga i cili vazhdon të lëvrohen fonde. Kështu, duket se Shqipëria ka disa vonesa në tërheqjen e parave nga ky fond dhe për sa i takon CARDS 2005, Shqipëria nuk ka marrë akoma vlerën e projekteve që i takon. Gjithsesi, projekti në fjalë i financuar nga BE-ja është quajtur dhe si një urë më shumë në procesin e integrimit. Binjakëzimi është një metodë praktike për transferimin e dijeve nga nëpunës të administratës publike evropiane, te homologët e tyre në vendet kandidate, apo ato të Ballkanit Perëndimor, që janë në fazat e hershme të këtij procesi. "Nëse del me sukses, ky projekt do të kontribuojë për t’i bërë politikanët dhe nëpunësit civilë, përgjegjës për shpenzimet e buxhetit publik, dhe më të përgjegjshëm për veprimet e tyre”, është shprehur Salzman në fjalën e tij. Duket se ky aspekt është pranuar dhe nga ministri i Financave, i cili ka sqaruar se Drejtoria e Kontrollit të Brendshëm është në hapin e parë dhe, se tashmë nuk do të ketë justifikime për të menaxhuar mirë paratë që vijnë nga taksapaguesit. Në të njëjtën kohë, sistemi i kontrollit do të jetë më i pavarur në funksionet e tij. “Duhet të fillojmë të shohin prova të një transparence më të madhe, me një qeverisje të përmirësuar në administratën publike. BE-ja kërkon një kontroll të brendshëm financiar publik, të fortë, në gjendje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së asociim-stabilizimit", ka deklaruar kreu i BE-së në Shqipëri, Salzman. Nga fondi prej 6 milionë eurosh, i vënë në dispozion për automatizimin dhe modernizimin e kontrollit të brendshëm, 3.5 milionë do t’i vihen në dispozion Agjencisë së Prokurimeve Publike, të cilat do të kenë një rol të rëndësishëm në qarkullimin e parave për shpenzimet publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›