Sistemi i adresave, verifikohet çereku i Tiranës
Në fazën e parë të hartimit të sistemit të adresave për Tiranën është verifikuar ¼ e territorit, duke evidentuar përfundimisht rregullsinë e numrit të godinave dhe të apartamenteve në to. Drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, pohon se në këtë moment, për pjesën që ka mbaruar verifikimi, fillon një tjetër proces, që është ai i numërtimit të apartamenteve të brendshme. Numërtimi duhet të lidhet me numrin e godinës dhe emrin e rrugës. “Në fund të gjithë këtij procesi ne do të kemi një bazë të dhënash në sistemin GIS, në të cilin adresat do të jenë në variantin: Rruga/ Numri i godinës/ Numri i apartamentit”, thotë drejtori Punavia. Ai shpjegon se janë hartuar disa formularë tip, të cilët duhet të plotësohen nga qytetarët gjatë fazës së parë. Kjo do të bëjë të mundur lidhjen e emrit të kryefamiljarit të çdo banese nga regjistri i gjendjes civile me sistemin e adresave.
Projekti parashikon që çdo rrugë në kryeqytet do të ketë një emër, çdo godinë do të ketë një numër unik dhe gjithashtu çdo apartament, zyrë, apo njësi shërbimi do të ketë një numër unik. Pra gjithçka do të jetë lehtësisht e dallueshme, pasi emrat dhe numrat do të jenë unikë.
Bashkia e Tiranës prej disa muajsh ka punuar për të bërë një ndarje sipas zonave të gjithë qytetit. Fillimisht i është dhënë një emër çdo rruge dhe në funksion të saj është bërë një zonim. Kjo presupozon caktimin e një kufiri natyror të lidhur me lëvizjen dhe aksesin në godinat përreth kësaj rruge, në mënyrë që këto godina të marrin numrin në funksion të emrit të rrugës. Punavia e shpjegon këtë me një shembull: nëse ndodhemi te rruga “Myslym Shyri”, ne kemi kufizuar një zonë brenda së cilës ndodhen të gjitha ndërtesat që e kanë hyrjen nga kjo rrugë. Në këtë mënyrë numrat që do t’u vendosen të gjitha godinave do të lidhen me emrin e rrugës “Myslym Shyri”. Tashmë ne kemi përfunduar zonimin dhe identifikimin e godinave për aq sa informacion kishim. Pra, ne kemi ndërtuar një bazë të dhënash, e cila përmban emrat e rrugëve, zonimin dhe godinat, që sipas zonave lidheshin me këto rrugë.
“Për ta çuar sistemin e adresave deri në fund na duhej që çdo godine, ky numër që i kishim dhënë, ta verifikonim në terren a është i saktë apo jo. Mund të ndodhte që nga fotot ajrore një godinë të dukej normale, ndërkohë që në të vërtetë mund të ishin dy godina të bashkuara. Gjithashtu, verifikimi në terren na interesonte shumë edhe për çështje të numërtimit të brendshëm, pra që çdo apartament të kishte numrin e tij. Për realizimin e këtyre dy detyrave u hartuan disa terma reference, u bë një procedurë tenderi, që u fitua nga kompania “Datech”, e cila tashmë ka filluar punën në terren”, sqaron më tej drejtori i rrugëve të bashkisë.
Kompania po punon për verifikimin e numërtimit të godinave dhe verifikimin e apartamenteve. Nëse ajo konstaton se nga zonimi dhe numërimi që është bërë gjatë fazës së parë të projektit ka ndonjë gabim, apo pasaktësi, do ta risjellë materialin në bashki. Më pas grupet që kanë punuar herën e parë sipas ndarjes zonale, e ripunojmë dhe ajo del si një bazë të dhënash finale. Kjo bazë të dhënash presupozon që të dihet me saktësi se çdo rrugë përfundimisht ka kaq godina dhe secila godinë me numrin përkatës ka kaq apartamente, zyra, apo njësi shërbimi.
Kompania “Datech” do të merret edhe me plotësimin e një formulari nga ana e qytetarëve, me disa të dhëna për familjet dhe pronësinë e apartamenteve. Formulari është për ta lidhur numrin e apartamentit me emrin e kryefamiljarit, i cili më pas do të lidhet me regjistrin e gjendjes civile.
“Ne kemi marrë vendimin e Këshillit Bashkiak dhe duke u bazuar aty kemi hartuar projektin për sinjalistikën, konform standardeve të përcaktuara me ligj. është bërë tenderi, ka fituar një kompani, e cila tashmë ka filluar vendosjen e sinjalistikës në vendet e caktuara. Ne parashikojmë që puna të ecë paralelisht”, shprehet drejtori Punavia. Ndërkohë që firma e parë ecën me verifikimin dhe numërtimin e apartamenteve, firma tjetër do të kompletojë me sinjalistikë rrugët që tashmë janë futur në sistemin e të dhënave. Dhe kur të jetë përfunduar me sinjalistikën e rrugëve, në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti do të nisë sinjalistika për godinat. Pra, çdo godine do t’i vihet një tabelë me numrin e saj përkatës, ndërsa apartamenteve do t’u vihet një numër i stampuar.