Sannino: Imuniteti është Thembra e Aklilit, mos e ktheni çështjen në betejë
Bruksel- Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, i ka drejtuar një apel politikës shqiptare të mos e kthejë çdo çështje në betejë dhe të gjejë gjuhën e përbashkët për heqjen e imunitetit, pak kohë para verdiktit të Bashkimit Europian mbi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Ky apel përkon me ditën e nisjen së sesionit të ri parlamentar, ku Sannino kërkon të forcat politike në vend të bëjnë përpjekje maksimale për të arritur në kohë plotësimin e njërit prej kritereve më të rëndësishëm për BE-në, luftën kundër korrupsionit.
Kufizimi i imunitetit është shumë i rëndësishëm për ne, është një element kyç në luftën kundër korrupsionit. Ky do të jetë një hap përpara në drejtimin e duhur për Shqipërinë.- u shpreh Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, në një konferencë në Bruksel.
Sipas Sanninos, Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme, por ajo që mbetet problematike është fakti se çdo çështje kthehet në betejë nga klasa politike, dhe në fund ajo që mbetet është më tepër lufta politike se sa rezultatet.
Brukseli i kushton rëndësi të veçantë heqjes dhe kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, dhe kjo reformë mund ti sigurojë Shqipërisë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat në tetor. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet Thembra e Akilit për vendet e Ballkanit, që të përparojnë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. ka vijuar më tej ai.
/IDEA/