E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saranda, "kryeqyteti" i përdoruesve të drogës

Muzikë, karburant dhe narkotikë. Ky është konsumi kryesor që shoqëron jetën e natës në sezonin veror në Sarandë, duke e vënë atë në toplistën e qyteteve me përdorues dhe tregtues narkotikësh, sipas autoriteteve policore. Postblloqet e shumta të ngritura nga Policia Rrugore e Sarandës për kontrollin e automjeteve kanë zbuluar ditët e fundit disa drejtues mjetesh, që qarkullonin nën efektin e pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, si marijuanë dhe heroinë, ndërkohë që disa sasi janë sekuestruar. Operacioni mësohet se ka nisur që prej datës 1 gusht dhe kontrollet e policisë së qarkullimit rrugor dhe asaj të rendit, ushtrohen çdo ditë, sidomos në orët e mbrëmjes e natës. Shefi i shërbimit të qarkullimit rrugor, Gjylani Shehu, thotë se janë shënuar disa raste kur janë konstatuar drejtues automjetesh që i ngisnin ato nën efektin e alkoolit apo drogës. Disa të tjerë janë shoqëruar në komisariat si mbajtës të substancave narkotike. Forcat e policisë kanë përdoruar mjete speciale për kontrollin e drejtuesve të automjeteve. Në rastet kur ata kanë rezultuar përdorues të alkoolit përtej normave të lejuara, shprehet Shehu, janë marrë masa deri në pezullim të lejeve të drejtimit. Brenda tri ditëve të fundit janë pezulluar katër të tilla. Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të së enjtes, është sekuestruar një sasi prej 8.8 gramësh kanabis sativa. Mbajtësi i saj është shoqëruar në Komisariatin e Sarandës, ku rezultoi se ai e kishte për përdorim vetjak. Ndërkaq, në orët e para të mëngjesit të së premtes është zbuluar nga policia një shtetas, i cili mbante një sasi prej 2 gramësh lëndë narkotike të dyshuar si heroinë. Ai është shoqëruar menjëherë për në Komisariatin e Sarandës. Ndaj tij kanë nisur hetimet e mëtejshme. Për Policinë e Sarandës, kjo dukuri është shqetësuese, sidomos për qytetin. Sipas tyre, Saranda në këtë sezon vere rezulton të jetë qyteti me më shumë përdorues të lëndëve narkotike në shkallë vendi. Mësohet se shifra e tyre ka pësuar rritje pas ardhjes së mijëra pushuesve nga rrethe apo shtete të tjera. Me gjithë marrjen e sinjaleve shumë të forta edhe për shtrirjen e narkotrafikut, në kushtet kur numri i popullsisë në këtë sezon mund të jetë trefishuar, është vështirësuar edhe puna zbuluese e policisë, e cila mendohet se deri tani nuk ka arritur te tregtarët e vërtetë të sasive të vogla të hashashit, heroinës e kokainës, tregti që dihet se bëhet edhe në lagjet e ndryshme të qytetit të Sarandës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›