E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë-Himarë-Ksamil, 5 ditë muzikë bandash

Edicioni i 5-të i Festivalit Ndërkombëtar të Orkestrave Frymore

Në Sarandë-Himarë ka nisur edicioni i 5-të i Festivalit Ndërkombëtar të Orkestrave Frymore, një organizim i K.O.F (Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore). Sipas drejtorit artistik, Edmond Doko, nëpërmjet këtij aktiviteti të përvitshëm, është arritur të mbahet gjallë një traditë e pasur në këtë lëmi të artit instrumental, që daton që në shekullin e 19-të, kur italiani Xhani Canale krijoi të parën bandë muzikore në Shkodër, më 1878.


Kjo traditë u konsolidua në Shkodër, për të vijuar më pas dhe në qytete të tjera shqiptare me traditë, si Elbasani, Korça, Tirana, etj. Ndryshe quhen banda dhe në vitet e komunizmit, aktiviteti i tyre u ngjiz në imazh me festat e epokës. Pas `90, shumë prej tyre u shkrinë, disa mbijetuan e disa u rithemeluan, siç qe Orkestra Frymore e Bashkisë së Tiranës më 2004.


Organizimi i përvitshëm i një festivali të tyre në Sarandë, në kulmin e sezonit turistik, synon ridimensionimin e tyre në nivel kulturore shoqëror. Edicioni i sivjetshëm, ka ri risi shtrirjen e organizimit dhe në Ksamil e Sarandë.


Prezantimin e parë sot, do ta bëjë orkestra frymore e Forcave të Armatosura, ndërsa të fundit më datë 15, Banda musicale di Contessa Entellina (Itali), që drejtohet nga një kosovar.


Bandat, një histori elite


Fakti që kanë marrë jetë në Shkodër, bandat muzikore, përcjellin dhe një karakter fisnik. Si në Shkodër edhe në qytete të tjera, ato u shndërruan në simbol të elitës shqoërore. Fjala vjen, në Shkodër banda e parë drejtohet nga i njohuri Palok Kurti, që më pas u trashëgua si traditë brenda familjes. Më 1909, themelohet banda e Elbasanit, me instrumenta që vetë qytetarët i blenë në Vjenë.


Më 1920, në Korçë është Jovan Cico Kosturi, i cili më të sapoardhurin nga Amerika Thoma Nasi, drejtojnë bandën "Vatra". Më tej, kjo traditë vijon të shënojë kulme me Fan Nolin si kryeministër, që i bie flautit në Bandën e Tiranës, të shndërruar më pas në Bandën Mbretërore, e Dom Mikel Koliqin që themelon orkestrën frymore të shkollës françeskane Scula Cantorium.

Bandat si idil fëminor


Nuk mund të kuptohet performanca e një orkestre frymore, nëse nuk është e rrethuar nga çiliminj me vështrim të përhumbur drejt instrumenteve. Kështu, bandat kanë qenë gjithnjë një idil fëminor e gëzim shoqëror. Ato i kanë dhënë kuptim jetës së një qyteti, në raste festash e zijefetesh shoqërore.


E më shumë tek fëmijët, të cilët në psikologjinë e tyre, kanë ravijëzuar si qenie grishëse e të çuditshme njëherësh, njerëzit të cilët u bien atyre veglave, disa prej tyre të frikshme për nga madhësia e grykës e prej të qenit të kabashme. Ndaj, nëse performanca e tyre, nuk do ketë dhe pjesën e interesit fëminor, atëherë kësaj tradite, i mungon ende në rikthim një pjesë e mirë e saj, idili fëminor.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›