E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, çelet sezoni "Verë 2012"

SARANDË- Në qytetin bregdetar të Sarandës, në jug të vendit, u organizua mbrëmjen e djeshme Festa e Detit, duke shënuar kështu çeljen zyrtare të sezonit të ri "Verë 2012". 

Ndezja simbolike e dritave të farit dekorativ të qytetit, hedhja e notarëve në det nga trampolina dhe prerja e supertortësprej 2 metër katrorë nga Kryetari i bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, dhuratë për sezonin nga bar "Limani", kanë qenë tre sinjalet e zyrtarizimit të një sezoni të mbarë.
"Stinën e turizmit tonë e kanë promovuar mbi 500 mijë turistë të huaj, që kanë bërë pjesë të gudiave të tyre turistike qytetin tonë", tha në fjalën e vet përshëndetëse Çipa. 

Çipa shtoi se nuk kanë pritur këtë zyrtarizim edhe ata mijëra nxënës e studentë nga i gjithë vendi dhe nga të gjitha trojet shqiptare, që fundjavat e dy muajve të fundit, kanë zgjedhur t’i kalojnë në brigjet dhe bukuritë e Sarandës.

Qytetarë të shumtë kanë parë se Saranda dje është zgjuar me veshje festive, duke nisur nga shëtitorja, tek plazhet e zgjeruar e të pasuruar me rërë, tek rrugët e pastra dhe në gjithë qytetin e bërë gati për të pritur miqtë e kësaj vere.

Dita e promovimit të turizmit të verës 2012 ka nisur paraditen e 18 majit me përurimin e galerisë së re të artit, ku janë ekspozuar 72 punë në pikturë e skulpturë të katër autorëve më elitarë të Sarandës, si Niko Godroli, Vasil Kaçi, Lefter Çeko, Odise Papa e Spiro Shtuka.

Në festime kanë marrë pjesë edhe shefi i zyrës së OSBE në Gjirokastër, Milan Bito, konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Nikollaos Kotrokoi, konsulli i nderit i konsullatës italiane në Gjirokastër, Teodor Bilushi, nënprefekti Gjergji Mano, kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, kryetari i bashkisë së Delvinës, Dhurim Alinani, etj. Sllogani i kësaj vere për "kryeqytetin veror" të vendit është "Saranda, shtëpia e pushimeve tuaja".
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›