E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjanica përmbyt 100 banesa në Fier, evakuohen banorët

Shirat pranverorë kanë shkaktuar tronditje për qytetarët fierakë. Kanë mjaftuar vetëm disa minuta reshjesh të dendura, për të kthyer në një moçal të vërtetë të gjithë qytetin, duke i bërë rrugët të pakalueshme, por mbi të gjitha duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve. Problemi i përhershëm, lumi Gjanica, edhe këtë herë ka dalë nga shtrati duke përmbytur gjithë pjesën e tregut e duke shkuar fare pranë banesave, duke përmbytur me dhjetëra shtëpi. Edhe pse nuk bëhet i saktë numri total i banesave të përmbytura, deri tani numërohen më shumë se 90 të tilla, përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Gjanicë.Banorët, edhe pse të lajmëruar më parë nga ana e shtabit të emergjencës ngritur nga prefektura, e kanë neglizhuar deri diku faktin për arsye të artikulimit "shi pranveror". Por ky i fundit nuk ka qenë aspak i tillë. Vetëm gjatë orëve të pasdites së djeshme, me qindra banorë janë detyruar të evakuohen nga banesat e tyre, duke marrë prej aty vetëm gjërat më të nevojshme. Ashtu si përherë, ata i kanë lënë shtëpitë e tyre në mëshirë të fatit, duke shpresuar që rrjedha e pamëshirshme e lumit Gjanicë të lërë diçka pas. Situatën alarmante e pohuan dhe burimet pranë shtabit të emergjencës. Kreu i kësaj të fundit, Viron Balla, i cili ka inspektuar zonat e përmbytura, ka deklaruar se situata sa vjen e vështirësohet, ndaj edhe banorët nuk duhet të kthehen në shtëpi. Ndërkohë, për të sensibilizuar banorët në vendet më të rrezikuar kanë mbërritur edhe specialistë të Bashkisë Fier, të cilët janë shprehur se po merren masa konkrete për parandalimin e përmbytjeve. "Është një situatë tejet alarmante dhe shumë e rrezikshme. Gjanica ka dalë nga shtrati, duke treguar edhe një herë se në kohë reshjesh, lumi bëhet i rrezikshëm. Ende nuk mund të flasim për shifra konkrete, por shumë banesa gjenden aktualisht nën ujë", kanë pohuar specialistët e bashkisë. Ndërkohë, të gjithë anëtarët e shtabit të emergjencës janë shpërndarë në pika të ndryshme të qytetit për të dhënë ndihmën e parë. Inspektime të veçanta janë ndërmarrë në grykëderdhjen e lumit Vjosë, e deri në brigjet e poshtme të Gjanicës, ku rreziku është edhe më i madh. Gjithsesi, sipas specialistëve, banorët duhet të qëndrojnë larg banesave të tyre për të evituar çdo rrezik të mundshëm. Sipas kreut të emergjencave civile, lumi Vjosë e Seman paraqiten në gjendje normale, e ndërsa situata është alarmante për lumin Gjanicë. Por reshjet e shiut nuk kanë rrezikuar vetëm fierakët që banojnë pranë lumit Gjanicë. Reshjet që kanë startuar qysh në orët e para të mëngjesit, duket se kanë triumfuar pasditen e djeshme. Mësohet se nga reshjet janë prekur disa biznese të vendosura në zona të ulëta e sidomos në lagjet periferike, ku mësohet se nën ujë janë 5 pika tregtimi me shumicë. Ndërkohë përmbytje ka pasur edhe në disa shtëpi të ndërtuara kohët e fundit në lagjen "Afrimi i Ri", në periferi të qytetit të Fierit. Mosfunksionimi i kolektorëve dhe shimbledhësve ka shkaktuar përmbytje në një pjesë të mirë të rrugëve të brendshme e ndërsa kaotike situata ka qenë në hyrje-daljet e qytetit. Pikërisht në autostradën Lushnje- Fier, në afërsi të komunës Mbrostar kanë mbetur të bllokuar 200 mjete duke ngadalësuar e bllokuar hyrjen për në qytet. Situata është përballuar me ndërhyrjen e forcave të policisë, që kanë mbërritur në vendngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›