E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë-Durrës, ndalohet lundrimi në det, deri në përmirësim të motit

Moti i keq që ka prekur Vlorën qysh në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka shkaktuar shumë probleme në këtë qytet, nga rrugët e deri tek puna në portin e Vlorës. Reshjet e dendura të shiut, era që ka kapur shpejtësinë maksimale rreth 30 m/s e shoqëruar në orë të ndryshme të ditës dhe me breshër ka shkaktuar kryesisht probleme në port. Deti në shkallën 7-8 ballë ka bërë të pamundur nisjen e trageteve nga porti i Vlorës në drejtim të Italisë. Kështu të dy tragetet e linjës Vlorë-Brindisi aktualisht janë në radë, në pritje të qetësimit të motit. Gjithashtu edhe anije tregtare apo peshkarexha që kishin planifikuar daljen në det e kanë pasur të pamundur si pasojë e detit të trazuar. Në qytet është paralizuar jeta në disa zona, si pasojë e përmbytjeve në disa rrugë. Në disa zona uji ka arritur në lartësi rreth 20 apo 30 cm duke e bërë praktikisht të pamundur kalimin e këmbësorëve. Në qafën e Llogorasë kanë nisur reshjet e dëborës dhe këtu rruga ka mjaft probleme, sipas drejtuesve të drejtorisë rajonale të rrugëve, ky aks kryesisht në qafën e Llogorasë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe reshjet e shiut rrezikojnë shumë zona në qytet si pasojë e përmbytjeve edhe pse hidrovori i qytetit nuk ka ndalur asnjë moment punën për thithjen e ujërave, problemi qëndron në bllokimin e kanalizimeve, të cilat gjithmonë janë shkaktar të përmbytjeve masive në zona të ndryshme të Vlorës. Por reshjet e shiut kanë penguar edhe përpunimin e anijeve tregtare të ankoruara në kalatat e portit detar të Durrësit, ndërsa shumica e motopeshkatoreve janë rikthyer nga lundrimi për shkak të motit të keq. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit detar të Durrësit bënë të ditur se reshjet nuk e kanë penguar lundrimin normal të katër trageteve të linjës Bari-Durrës, të cilët kanë mbërritur dje paradite sipas grafikëve të parashikuar. Sipas burimeve në port, reshjet e shiut kanë bllokuar procesin e ngarkim-shkarkimit të disa anijeve tregtare të ankoruara në portin më të madh të vendit. Mëngjesi i djeshëm ka rikthyer në qytetin bregdetar bashkë me reshjet e shiut edhe temperaturat 3-4 gradë më të ulëta se sa mesatarja stinore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›