Zihen për celularin, dy të rinj në spital
Një kapriçio të rinjsh ka përfunduar me plagosjen e dy 21-vjeçarëve dhe shpalljen në kërkim policor të dy të tjerëve.
Ngjarja është shënuar në orën 23:00 të së martës në lagjen “Liri” në vendin e quajtur “Sharra” në qytetin e Fierit. Katër shokë janë zënë mes tyre, duke përdorur edhe armët.
Julian Imeraj, Endri Buzi, Eni Veshi dhe Lorenc Buzi, të katër 21 vjeç, banues në Fier kanë qenë së bashku në momentin kur mes tyre ka nisur një debat banal. Nga burimet policore nuk bëhet i qartë motivi i konfliktit, por deklarohet se gjithçka ka nisur nga një kapriçio adoleshentësh për çështjen e një celulari, i cili ka vijuar me fyerje, shkëmbim grushtesh dhe më pas shkrehje arme. Eni Veshi, së bashku me Lorenc Buzin, kanë qëlluar në drejtim dy shokëve të tjerë Julian Imeraj dhe Endri Buzit. Në përleshje e sipër, arma është shkrepur duke plagosur Julian Imerajn. Menjëherë pas ngjarjes, dy bashkautorët janë larguar nga vendi i ngjarjes për t’u shpallur në kërkim policor për veprën penale “plagosje me dashje”. Aktualisht i plagosuri Julian Imeraj ndodhet në spitalin e rajonal të Fierit jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shoku i tij, Endri Buzi, mësohet se është dëmtuar lehtë vetëm nga grushtet. Policia po punon për kapjen e dy bashkautorëve të kësaj ngjarje, si dhe gjetjen e armës.
#