E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, kapen dy antarët e fundit të bandës “B13”

Kapen edhe dy pjesëtarët e fundit të bandës të njohur si "B13" në qytetin e Sarandës. Burime nga policia bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme janë kapur shtetasit Lisjen Kazo dhe Fatjon Abazi, të dy nga 21 vjeç të cilët ishin personat më të kërkuar në Sarandë prej datës 22 dhjetor 2011. Sipas policisë dy persona janë arrestuar pak orë pasi kishin kryer grabitjen e radhës.
Ata i shpëtuan operacionit "Lëkurësi" që policia e Sarandës ndërmorri për shaktërrimin e grupit kriminal "B 13", të akuzuar për 14 grabitje dhe shkatërrimin me eksploziv të automjeteve të dy zyrtarëve të lartë të policisë së Sarandës.
Në 22 dhjetor, policia vuri në pranga 6 shtetas, ndërkohë që Lisjen Kazo dhe Fatjon Abazi i shpëtuan arrestimit. E ndërsa rezultonin persona në kërkim, dy të rinjtë, kanë vazhduar grabitjet në qytetin e Sarandës. Pikërisht, kryerja e një grabitjeje në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ka bërë që agjentët kriminalë të bien në gjurmët e tyre. Sipas policisë, një biznesmen ka denoncuar grabitjen e lokalit të tij duke u gdhirë dita e mërkurë ku televizorë, lap top e pajisje kuzhine ishin zhdukur nga lokali i tij, në një grabitje të cilën më pas policia do ia faturonte sërish bandës "B 13".
Për këtë ka nisur një operacion i gjerë policor, i shtrirë në lagjen nr.4 të Sarandës dhe rreth orës 22.00, agjentët e krimeve të rënda, kanë prangosur të shumëkërkuarit Lisjen Kazo, 21-vjeç, lindur dhe banues në Sarandë dhe Fatjon Abazi, 21-vjeç, lindur dhe banues në Sarandë, i njohur me pseudonimin "Nole", të dy të dënuar më parë për "vjedhje në bashkëpunim".
Policia ka ushtruar kontroll në banesat e tyre dhe ka zbuluar një sërë materialesh të vjedhura si televizorë plazma, lap-top, pajisje kuzhine, të grabitura disa orë para arrestimit në Sarandë. Gjithashtu policia ka sekuestruar disa doreza, një kapuç që përdorej si maskë, një gërshërë prerëse hekuri, 6 telefona celularë si dhe disa çelësa. Të arrestuarit i janë nënshtruar gjatë gjithë natës hetimeve, ndërkohë që ndaj tyre, përveç 14 akuzave për grabitje ata akuzohen edhe për "shkatërrim të pronës me eksploziv”. Veç grabitjeve, grupi kriminal "B 13", akuzohet se ka hedhur në erë me tritol makinën e ish-shefit të krimeve të Sarandës, Ilir Zhupa dhe makinën e ish-shefit të grupit të gatshëm të Sarandës, Aleksandër Lilo dhe shkatërrimin me eksploziv të një Pub-it në Sarandë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›