Berat, subjektet private në krizë, rritet numri i të papunëve
Efektet e krizës që po ndihen në vendin tonë, kanë ndikuar ndjeshëm edhe në rritjen e numrit të të papunëve në qytetin e Beratit. Dhjetëra firma me kooperim të përbashkët kryesisht italo - shqiptar kanë nisur të shfaqin shqetësimet e para në lidhje me rënien e tregut të shitjes. Ashtu si çdo fillim viti, drejtuesit e këtyre firmave paraqesin pranë Zyrës së Punës projektet e tyre në lidhje me aktivitetin dhe numrin e fuqisë punëtore që parashikojnë të punësojnë në sezon apo vjetor.
Por, ndryshe nga vitet e tjera kur kërkesat për punësim kanë qenë të mëdha, këtë vit drejtuesit e firmave nuk kanë paraqitur asnjë projekt-punësim, madje parashikojnë dhe shkurtimin e numrit të të punësuarve. Burime pranë Zyrës së Punës në qytetin e Beratit pohojnë se deri më sot numërohen rreth 15 mijë të papunë, shifër kjo e cila parashikohet të rritet në ditët në vijim. Aktualisht, pranë kësaj zyre asnjë firmë nuk ka paraqitur kërkesë për të punësuar pranë aktivitetit të saj fuqi punëtore që ne kemi të regjistruar në kërkesat për punë, pohojnë burimet pranë zyrës së punës. Sipas drejtuesve të këtyre firmave, kriza ekonomike që duket se ka përfshirë dhe vendin tonë, ka ndikuar dhe në tregun e këtyre ndërmarrjeve. Gati të gjitha këto ndërmarrje kanë si treg atë botëror, pasi prodhimet e tyre shitet jashtë vendit dhe kriza që kanë përshirë ato vende ka ulur ndjeshëm dhe eksportin e këtyre ndërmarrjeve. Janë një sërë ndërmarrjesh me kooperim të përbashkët si "Valguvia" " Klajdi Sh. p.k" të drejtuesit e të cilave shprehen se ka rënë ndjeshëm kërkesa e tregut të huaj, ndaj prodhimeve të tyre. Në këtë mënyrë, firmat janë të detyruar të ulin prodhimin e tyre dhe mos të kenë nevoja për tu pajisur me punëtorë të rinj. Rritja e numrit të të papunëve do të shtojë ndjeshëm numrin e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike nga shtetit. Aktualisht në këtë qytet numërohen 1700 familje që marrin ndihmë ekonomike nga shteti, shifër kjo që mendohet të rritet në të ardhmen. Firmat me kooperim të përbashkët, vitet e fundit kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të qytetit të Beratit, duke ofruar punësim për qytetarët e Beratit, gjë e cila tashmë po ndihet me uljen e numrit të të punësuarve pranë tyre. Ditët e fundit nga dhjetë firmat që kryejnë aktivitet prodhimit të konfeksioneve dhe ambalazheve në qytetin e Beratit kanë shkurtuar ndjeshëm numrin e punëtorëve për efekt të uljes të prodhimit e bllokim eksporteve të mallrave të destinuara për të. Nga ana tjetër, janë me dhjetëra punëtorë kryesisht gra, të cilat edhe pse kanë punuar pa ndërprerje për një apo dy vjet, në sigurimet shoqërore kanë të paguara jo të gjithë muajt e një viti.