E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, OSSH ndëshkon 50 debitorë

OSSH ka ndëshkuar gjatë kësaj jave 50 konsumatorë familjarë dhe subjekte private në rrethin e Vlorës, të cilët rezultonin debitorë për periudha të ndryshme. Burime zyrtare nga njësia e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për Vlorën, bënë të ditur se ndëshkimet që përfshijnë sanksione financiare, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike etj, u kryen në kuadrin e një aksioni disa ditor. Përmes këtij aksion, synohet të rriten treguesit e arkëtimeve të energjisë si dhe pakësimi i nivelit të humbjeve, theksuan burime nga OSSH. Aktualisht, OSSH për Vlorën po zbaton një program masash për përmirësimin e treguesve në furnizimin me energji elektrike dhe rritjen e arkëtimeve, ku përfshihen edhe ndërprerja e furnizimit dhe sanksione të tjera administrative. Aksioni i nisur në fillim të kësaj jave do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke zbatuar një grafik ndërhyrjeje sipas zonave më problematike. Për tu ardhur në ndihmë qytetarëve, deri në fund të vitit të kaluar u aplikua mospagimi i kamatëvonesave për detyrimet e prapambetura për 2008- ën, por për këtë vit kjo lehtësi është hequr. Përkundër kësaj ofrohet shërbim i pandërprerë për arkëtimet dhe sportelet funksionojnë edhe në fundjavë.  Në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, niveli i arkëtimeve në qytetin e Vlorës e kaloi atë të 85%, ndërsa ai i humbjeve në rrjet arriti në 34%. Për dy muajt e parë të këtij viti, treguesi i arkëtimeve ishte 2% më i lartë. Në qytetin e Vlorës numërohen gjithsej 31 mijë abonentë, ndërkohë që në të gjithë rrethin llogariten rreth 60 mijë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›